Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, priti sot Ambasadoren e Kanadasë, Elissa Goldberg me të cilën bisedoi rreth bashkëpunimit dypalësh, me fokus në çështjet e sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.
Ministri Hoxha kërkoi intensifikim në çështje të bashkëpunimit policor, sidomos sa i përket shkëmbimit të informacioni midis strukturave për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Ai nënvizoi rëndësinë e koordinimit dhe mbështetjes në fushën e sigurisë kibernetike dhe teknologjisë së informacionit, zbatimin e letër-porosive e çështjeve të tjera të zbatimit të ligjit.
Ambasadorja shprehu gatishmërinë për mbështetje të Kanadasë ndaj Shqipërisë për çështjet me interes të përbashkët si lufta kundër krimit të organizuar, pastrimi i parave, problemet e migracionit, si dhe për trajnimet profesionale dhe efektive të Policisë së Shtetit.
Hoxha vlerësoi si të rëndësishëm komunikimin dhe takimet midis strukturave të policisë së të dy vendeve.
Në takim u vlerësua fakti se Shqipëria dhe Kanadaja bashkë-ndajnë angazhimin dhe vlerat e përbashkëta për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.
Ambasadorja Goldberg gjithashtu e uroi Ministrin Hoxha për detyrën e re si një nga detyrat më të rëndësishme të shtetit, duke i uruar një mandat të suksesshëm e rezultativ.