Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar këtë të hënë, më 16 mars, një bisedë telefonike me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Timco Mucunski.

Në një postim në rrjetin social X, ministri Hoxha shprehet se gjatë kësaj bisede telefonike u afirmuan marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Këtë mëngjes pata një telefonatë të parë të dobishme dhe produktive me kolegun tim Timco Mucunski, duke riafirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për ne, Maqedonia e Veriut nuk është vetëm një vend fqinj dhe mik, por edhe një aleat i çmuar i NATO-s dhe një partner i ngushtë rajonal.

Në përvjetorin e tragjedisë në Koçan, përsërita solidaritetin tonë dhe angazhimin e fortë të Shqipërisë për të qëndruar pranë institucioneve dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në momentet që kërkojnë solidaritet, mbështetje të ndërsjellë dhe bashkëpunim më të fortë rajonal.”, shkruan ai.

Hoxha thekson se bashkë me homologun e RMV-së ranë dakord se integrimi i dy vendeve dhe i gjithë Ballkanit ka rëndësi strategjike jo vetëm për rajonin, por edhe për vetë BE-në.

“Ramë dakord se integrimi evropian i dy vendeve tona – dhe i të gjithë Ballkanit Perëndimor – është me rëndësi strategjike dhe përfaqëson investimin më të mirë në stabilitet dhe siguri, si për rajonin tonë, ashtu edhe për Bashkimin Evropian.

Riafirmuam gjithashtu rëndësinë e madhe të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, gurthemel i bashkëjetesës ndëretnike dhe stabilitetit institucional në vend. Në këtë drejtim, nënvizova rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, përmes zgjidhjeve që respektojnë parimet kushtetuese dhe pasqyrojnë karakterin shumëetnik të vendit.”, shton ministri.

Në fund, dy homologët ranë dakord për rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit për zbatimin e KorridoritVIII, një projekt kyç për lidhshmërinë dhe zhvillimin rajonal.