DURRËS, 13 shkurt 2014 – Ministri i brendshëm bavarez Joahim Herman (Joachim Herrmann) akuzon serbët dhe shqiptarët për “abuzim masiv me azilin” [massive Asylmissbrauch] në Bavari. Njerëzit nuk përndiqen politikisht në atdheun e tyre, por vijnë në Gjermani vetëm për para xhepi. Numri i azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit në landin e Bavarisë është rritur në mënyrë të ndjeshme. Vendi më problematik është Serbia. Kjo është e papranueshme, thotë Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joahim Herman, i cituar nga mediet gjermane. Ai ka kërkuar nga qeveria gjermane të merren masa kundër numrit në rritje të azilkërkuesve nga shtetet e ish-Jugosllavisë dhe nga Shqipëria. Abuzimi me kërkesën për azil duhet të frenohet, tha Herman-i. “Unë nuk mund të pranoj që këta vende të jenë në listën e vendeve origjinë të azilkërkuesve“, deklaroi kryepolici i Bavarisë. Më shumë problem janë azilkërkuesit nga Serbia, vend i cili udhëheq edhe listën e vendeve nga vijnë shumica e azilkërkuesve. Sipas Herman-it në Gjermani kanë ardhur 18 001 qytetarë serbë më shumë në krahasim me një vit më parë. Në vend të katërt renditet Maqedonia. Qytetarët nga Serbia, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Mali i Zi, përfitojnë prej disa vitesh nga lëvizja e lirë në zonën Shengen në Evropë. Në vitin 2012 në gjithë Bashkimin Evropian, nga këto vende ka pasur vetëm 47 mijë kërkesa për azil. Ne kemi rënë dakord me anëtarët e koalicionit që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i konsiderojmë vende të sigurta në ligjin për procedurat e azilit, deklaroi Herman-i. Politikani i CSU-së argumenton se fluksi i azilkërkuesve nga Ballkani shkon në kurriz të refugjatëve kërkesat e të cilëve mund të jenë të justifikuara: “Përmes këtyre kërkesave abuzive për azil zgjatet edhe përpunimi i aplikimeve për njerëz të ndjekur politikisht në vende të tjera”.
/përgatiti agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





