Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka firmosur masa disiplinore ndaj tre noterëve dhe dy ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, pas verifikimeve të kryera nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas vendimit, ndaj noterit J. Gj në Devoll është vendosur masa “vërejtje me paralajmërim për heqje licence” dhe një gjobë prej 500 mijë lekësh të reja.

Hetimi disiplinor për këtë rast nisi pas një denoncimi të transmetuar në emisionin investigativ Stop në TV Klan.

Masë e njëjtë është vendosur edhe për noteren V. D në Fier, e cila është gjobitur me 500 mijë lekë dhe ka marrë paralajmërim për heqje licence.

Ndërsa për noteren M. V në Tiranë është vendosur masa disiplinore “vërejtje”.

Përveç noterëve, ministri ka firmosur edhe masa me gjobë ndaj dy ndërmjetësve të licencuar të pasurive të paluajtshme në Tiranë.

Njëri është gjobitur me 100 mijë lekë dhe tjetri me 50 mijë lekë.

Këto janë rastet e para të gjobave të vendosura ndaj ndërmjetësve të këtij sektori.

Ministria e Drejtësisë ka nisur gjithashtu një proces verifikimi të aktivitetit të ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme në Tiranë. Kontrollet pritet të vijojnë edhe në raste të tjera kur konstatohen shkelje apo kur ka denoncime nga qytetarët dhe mediat, me qëllim respektimin e rregullave ligjore në shërbimet noteriale dhe në tregun e pasurive të paluajtshme.