Ditën e sotme, përfaqësues nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Ministria e Drejtësisë , po diskutojnë mbi hartën e re gjyqësore.

Ministri Ulsi Manja, shprehet se dy prej çështjeve kryesore që adreson kjo ndarje e re, janë aksesi i qytetarëve në gjykata si dhe shkurtimi i distancës.

Në fjalën e tij, Manja bëri të ditur se koha që u duhet qytetarëve për të marrë një shërbim ligjor do të reduktohet, teksa thekson se edhe seancat nuk do të shtyhen më me afate të gjata.

“Krahas reformimit të kuadrit kushtetues, rezultati i pritshëm i kësaj përpjekje, është rritja e efiçencës së organeve të drejtësisë. Reforma në drejtësi është në fazën e konsolidimit të saj. Duke qenë të ndërgjegjshëm se asnjë reformë nuk shtyhet para pa një financim ekonomik, qeveria shqiptare ka kontribuar në 5 vitet e kësaj reforme. Kemi ngritur një sistem pagash në nivele të mira. Një nga instrumentet që kemi në dorë që të rrisim shpejtësinë, është harta e re gjyqësore. Me qëllim rritjen e produktivitetit të gjykatave, paraqesim këtë propozim. Rishikimi i hartës gjyqësore, nuk është vetëm një detyrim ligjor. Synohet garantimi i ruajtjes së një balance, mes funksionimit të sistemit dhe aksesin në drejtësi nga qytetarët. Grupi i punës së KLGJ, ka kryer një punë të mirë analizuese të hartës gjyqësore. Duke pasur në konsideratë mendimin e institucioneve të tjera. Riorganizimi kryesor të kryehet me faturën financiare më të vogël të mundur. Pavarësisht se selia e gjuykatës mund të zhvendoset, KLGJ duhet të sigurojë që në çdo godinë të ketë një sekretariat që të jetë në shërbim të qytetarëve.

Ky propozim garanton përmbushjen e kriterit të distancës së gjykatave me qytetarët. Mbi 90% e popullsisë së Shqipërisë do ketë akses në Gjykatën e Apelit Administrativ në Tiranë, për më pak se 2 orë. Përmes hartës së re, do garantohet thelbi i të drejtës për akses në gjykatë. Do reduktohet koha për shqyrtimin e çështjes. Seancat nuk do të shtyhen më me afate të gjata, duke ulur dhe kostot për qytetarët. Do jemi të gatshëm që të dëgjojmë çdo shqetësim që kanë palët për këtë propozim. Krahas këtij takimi, të gjitha opalët e interesuara që impaktohen nga harta gjyqësore, do të ftohen të bëhen pjesë. Garantopj gatishmërinë maksimale, për të vijuar me fazat e finalizimit të hartës gjyqësore” – tha Manja.