Ministri i Financave: Pse e ula planin e të ardhurave për Tatimet e Doganat. Gati taksa progresive, ulet për biznesin e vogël.
13 tetor 2013- Qeveria socialiste do të ulë numrin e të punësuarve në administratë në mënyrë drastike, dhe deklarata erdhi nga kreu i Financave, Shkëlqim Cani, gjatë një interviste dhënë dje për “Zërin e Amerikës”.
Në këtë intervistë Cani preku edhe çështje të tjera që lidheshin me borxhin ndaj kompanive, borxhin total publik dhe mënyrën se si do të bëhet zbatimi i taksimit progresiv. Më poshtë, pjesë nga intervista e ministrit.
Një nga shqetësimet kryesore është borxhi ndaj ndërmarrjeve private. Ju thoni që ky borxh është në shifrat 570 milionë dollarë. Ndërkohë opozita thotë se kjo është një fryrje e qëllimshme e shifrës, për të rritur tavanin e borxhit. Si u përgjigjeni këtyre akuzave dhe pse kjo përplasje në shifra?
Së pari, unë si ministër Financash nuk është se kisha një borxh të shtëpisë sime dhe unë po e përfshij në borxhin e qeverisë sepse do të marr diçka në shtëpi. Së dyti, ne nuk kemi folur për shifër të saktë, për arsye se ne themi që po bëjmë vlerësime të përafërta të shifrave të borxhit që qeveria i ka biznesit. Së treti, ne nuk kemi hezituar të themi se një tjetër kompani private e njohur në tregun ndërkombëtar – një nga katër të mëdhatë – do të bëjë rivlerësimin dhe matjen e borxhit që qeveria i ka biznesit, dhe atëherë do të kemi shifrën e saktë të këtij borxhi. Por një vlerësim i përafërt ekziston për arsye se institucionet shtetërore – që në kohën që në qeveri ishin këta që sot komentojnë shifrat – kanë pasur shifra të përafërta. Sa do të jetë saktësisht, kjo do të verifikohet nga kompania ndërkombëtare, pasi pikërisht ishim të shqetësuar që në fillim se do të na akuzonin që po manipulojmë shifrat.
Ju parashikoni të rrisni huamarrjen dhe të shlyeni detyrimet ndaj biznesit privat, siç e thatë, dhe parashikoni që kjo ta çojë borxhin publik deri në fund të vitit në nivelin 73 për qind. Sa shqetësuese është kjo shifër për qeverinë, për ekonominë shqiptare, në një kohë që kur ju ishit në opozitë, kritikonit qeverinë e atëhershme për tavanin e borxhit që kaloi kufijtë e 60 përqindëshit.
Shifra 60 për qind është pjesë e realitetit dhe ne nuk mund t’i shmangeshim. Jo se është optimale, jo se është e dëshiruar, përkundrazi, qeveria që iku kishte detyrimin që ta çonte 50 për qind dhe nuk e realizoi dot. Kështu që shifra 60 për qind nuk është e dëshiruar, por është e imponuar. Ndërkohë, të kërcesh nga 60 për qind në 72 për qind, kuptohet që shifra bëhet shqetësuese, sepse prek raporte të rritjes së ekonomisë, të punësimit, prek raporte të mundësisë së balancimit të buxhetit, të deficitit buxhetor dhe të mundësisë së shlyerjes. Përveç faktit që kthehet në problem edhe ndaj kredidhënësve, për arsye se duhet të kesh një raport të caktuar. Kjo është ajo që na shqetëson ne. Ne nuk duam ta lëmë Shqipërinë që të shkojë në këtë fazë, kur të gjithë na jepnin buzëqeshjen dhe të mos na jepnin më hua.
Ju keni deklaruar se do të bashkëpunoni me FMN-në, se do të kërkoni hua nga FMNja dhe nga Banka Botërore. Gjatë takimeve këtu në Uashington, keni filluar tratativat për këto hua?
Qeveria shqiptare, Kryeministri, më kanë ngarkuar që të hulumtoj të gjitha tregjet, në mënyrë që të marr huan me kushtet më të mira të mundshme. Kështu që, opsioni i FMN-së dhe i Bankës Botërore është ndër opsionet e para, para se të dalim në tregun ndërkombëtar, te të tjerë aktorë huadhënës. Natyrisht që ne do të shohim për FMN-në dhe Bankën Botërore. Por në qoftë se ne shohim hapësira më të mira dhe në tregun e brendshëm apo nga huadhënës të tjerë ndërkombëtarë, natyrisht që ne do t’i marrim atje. Kështu që pjesë e bisedimeve këtu me FMN-në, në radhë të parë është gjendja e ekonomisë shqiptare në tërësi dhe çfarë masash mund të marrim për ta sistemuar ekonominë shqiptare.
Ju pra flisni për një keqadministrim të Tatimeve dhe të Doganave dhe keni kritikuar 8 muajt e qeverisjes së mëparshme. Megjithatë, edhe parashikimi për pjesën tjetër të vitit është me rënie të këtyre të ardhurave. Sa do të zgjasë reformimi i sistemit fiskal?
Të them të drejtën, nuk është se nuk e kam marrë parasysh edhe këtë lloj indirekt kritike që i bëhet Ministrisë së Financave për një vazhdimësi të ritmit të ulët të mbledhjes së të ardhurave. Njëherë duhet të ndajmë një mendim shumë të qartë. Në tetë vjet rresht nuk ka qenë opozita që ka kritikuar Tatim- Taksat dhe Doganat. Kanë qenë institucione ndërkombëtare që kanë bërë vlerësime apo intervista të ndryshme në publik për perceptimin e tyre për këto institucione. Ka qenë biznesi, i cili i ka quajtur marrëdhëniet me Tatim-Taksat, me institucionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave dhe të Doganave, marrëdhënie thuajse brutale kundër tyre. Kush i ka bërë këto veprime? Njerëzit, se nuk besoj që të kenë qenë robotët që i kanë bërë. Natyrisht që do të përballen me ligjin dhe unë nuk hezitoj të them se kushdo që do të dalë në shkelje të ligjit, natyrisht që do t’i përgjigjet ligjit.
Zoti ministër, gjatë fushatës Partia Socialiste premtoi të zbatojë taksën e sheshtë, një prej premtimeve më të debatueshme në atë kohë. A do të zbatohet kjo taksë në Shqipëri dhe kur?
Nuk është kënaqësi as për biznesin ose atë që e paguan taksën, as për atë që e vendos taksën të rrisë taksat. Sepse taksat janë të dhimbshme për atë që e paguan. Besoj edhe ju, sa më pak taksa të paguani nga paga, aq më e kënaqur do të ishit. Natyrisht që njerëzit do të jenë kundër. Po nuk ndërruam këtë filozofi, ne, si qeveri e re, nuk kemi fituar gjë në raport me publikun. Ka një akuzë të përditshme, për shembull, në media, që qeveria socialiste u zmadhua. Është e kundërta. Do t’i shihni shifrat shumë shpejt, që, sapo të miratohen strukturat nëpër ministri, do të jetë me një ulje, një ulje që unë do ta quaja edhe të nivelit drastik të shpenzimeve nga këto institucione, edhe të uljes së numrit të punonjësve duke e bërë edhe më mirë punën. Natyrisht, një administratë e fryrë, e bën më keq punën, sesa një administratë në numrin e kërkuar në optimumin e vet, nuk po flas për optimumin që në goditjen e parë, se ndoshta do të ketë nevojë edhe për një rishqyrtim, por kjo le t’i lihet kohës. Le të shohim njëherë se çfarë do të ndodhë me kohë. Kështu që, taksa progresive do të jetë e sigurt që do të vendoset. Është po aq e sigurt që biznesi i vogël, njerëzit më në nevojë, do të paguajnë më pak nga ç’kanë paguar deri më sot. Çka flet për një shifër që është dhënë dikur, që flitet për 95/90 për qind të popullsisë, pra që do të paguajë më pak, dhe natyrisht një shtresë tjetër do të shihet për të mbajtur një barrë më të rëndë.





