Gjatë ditës se djeshme janë proceduar me rritje pagat e muajit janar për sektorin publik në Kosovë, me koeficientin e ri prej 110 euro, të përcaktuar me Ligjin e Buxhetit për vitin 2024.
Ministri i Financave Hekuran Murati ka deklaruar se më këtë rritje paga mesatare në Kosovë për sektorin publik shkon në 780 euro.
“Janë proceduar me rritje pagat e muajit janar për sektorin publik, me koeficientin e ri prej 110 euro, të përcaktuar me Ligjin e Buxhetit për vitin 2024. Kjo e bën pagën mesatare bruto 780 euro/muaj në sektorin publik”.
Ai thotë se buxheti për paga në vitin 2023 ishte për 17% më i lartë sesa viti paraprak.
“Sivjet shtohen edhe 5% tjera, duke u siguruar kështu që rritja në vazhdimësi të tejkalojë normën e inflacion, që për vitin 2022 ishte 11.6% ndërsa për vitin 2023 ishte 4.9%”, ka shkruar Murati në Facebook.
Më parë për paga kishte shkruar edhe i pari i LDK-së Lumir Abdixhiku i cili kritikoi qeverinë për pagat.
Ai ka thënë se paga e mësuesit në Shqipëri ka shkuar në 980 euro, derisa ka kritikuar Kurtin për përfshirje në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut.
“Shqipëria drejt pagës 950 euro për mësues! Po, plot 950 euro për mësues! Gjersa kryepopullisti ynë është i zënë me zgjedhjet ndërshqiptare në Maqedoni, edhe krahasimi me vendet fqinje ka nisë të mos ketë më kuptim”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
I pari i LDK-së thotë se Kurti është në vitin e katërt të qeverisjes por që sipas tij nuk po vërehet asnjë shenjë pozitive.
Paga mesatare bruto në Kosovë u rrit për 138 euro në dhjetë vjet. Krahasuar me Maqedoninë e Veriut, Kosova kishte rritje më të ulët, ndërsa krahasuar me Shqipërinë, ajo kishte rritje më të lartë.
Sektori privat llogaritet punëdhënësi më i madh në Kosovë, me rreth 300 mijë të punësuar. Paga mesatare në këtë sektor, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2022 ka qenë 473 euro.
Pagat më të larta në Kosovë, në vitin 2022, kanë qenë në sektorin e energjisë – afro 970 euro, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Më së paku janë paguar punonjësit në akomodim dhe shërbime me ushqim – rreth 320 euro./ MONITOR