Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, ka prezantuar këtë të mërkurë në mbledhjene  Konferencës së Kryetarëve projektligjin “Për buxhetin e vitit 2024”.

Gjatë fjalës së tij, Mete është shprehur se Ministria e Ekonomisë dhe Financave parashikon se vendi do të ketë një rritje ekonomike  për vitin e ardhshëm prej 3.8%.

Projektbuxheti i vitit 2024 synon një rritje ekonomike të qëndrueshme, shpërndarje të mirëqenies për qytetarët, mbështetjen e punësimit cilësor dhe mbrojtjen e kategorive sociale. Projektbuxheti i vitit 2024 tejkalon për herë të parë 7 miliardë Euro shpenzime të planifikuara dhe projekton uljen e borxhit publik. Synimi është që t’i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë dhe të mbështetjes më tej të rritjes ekonomike. Prespektiva ekonomike në vazhdim mbetet pozitive. Kjo qëndrueshmëri është inkurajuese edhe për perspektivën afatgjatë dhe afatmesme të ekonomisë si dhe për shëndetshmërinë e financave publike në vend. Nisur nga kjo ecuri, ne kemi rishikuar projeksionet tona për rritjen reale të këtij viti në 3.7% nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar. Edhe FMN dhe Banka e Shqipërisë kanë parashikuar në rritje parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2023. Në skenarin tonë bazë për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8%, ndërsa parashikojmë një rritje mesatare vjetore për rreth 4% në periudhën afatmesme e në vijim”-tha Mete.