Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme ka nisur në të gjithë vendin. Malaj bëri të ditur se për pasuritë jashtë Tiranës rivlerësimi nuk mund të kryhet me çmime reference, por vetëm përmes një vlerësues privat.
Sipas tij, kjo vjen pas kontrolleve të ushtruara nga Administrata Tatimore në agjencitë imobiliare, ku është konstatuar se çmimet e pasurive të paluajtshme të regjistruara në sistemet e tyre rezultojnë dukshëm më të larta se çmimet e referencës.
Ndërkohë, qytetarët e Tiranës do të kenë mundësi ta kryejnë rivlerësimin e pasurive të tyre ose mbi bazën e çmimeve të referencës të regjistruara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), ose përmes një vlerësuesi privat.
“Procesi i rivlerësimit tashmë është i hapur. Udhëzimi ka dalë dhe është publikuar të hënën në Fletoren Zyrtare. Është një proces që mund të vijojë normalisht si në Tiranë ashtu edhe në pjesën tjetër të vendit. Jemi në diskutim sa i përket çmimeve të reja të referencës për zonat jashtë Tiranës, pasi nga kontrollet e fundit të autoriteteve tatimore në zyrat imobiliare në Tiranë dhe më gjerë janë evidentuar diferenca mes çmimeve të regjistruara pranë ASHK-së dhe atyre që rezultojnë në sistemet e këtyre zyrave”, u shpreh Malaj.
Ai theksoi se qytetarët që dëshirojnë të bëjnë rivlerësimin e pronave jashtë territorit të Tiranës, për momentin duhet ta kryejnë këtë proces përmes një vlerësuesi privat dhe me pagesë.





