DURRËS, 23 shkurt 2014 –  Më 22 shkurt 2014 Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit Mohammad Javad Zarif ( Në foton kryesore ) priti ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Teheran (jorezident), Genc Muçaj ( në foto poshtë ). Lajmin e bëri të ditur agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve “Fars”, si dhe radio-televizioni publik dhe jo ministria shqiptare e Punëve të Jashtme. Po sipas këtyre burimeve, Ministri Zarif theksoi lidhjet shekullore miqësore, që ekzistojnë ndërmjet Iranit dhe Shqipërisë. Ai shpreson që këto lidhje të zgjerohen më shumë në të ardhmen. Sipas ministrit të jashtëm, Irani kërkon të forcojë lidhjet me Perëndimin. Në favor të kësaj teze ministri Zarif përmendi vizitën e suksesshme të parlamentarëve evropianë në Iran në 13 dhjetor 2013. Ndër europarlamentarët, që vizituan Iranin, bënin pjesë Marietje Schaake, Cornelia Ernst, Jozef Weidenholzer etj. Ministri theksoi se ekziston një potencial jashtëzakonisht i madh për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimeve kulturore, shkencore, sportive etj. Ministri ofroi edhe shembullin e Francës, e cila në 3 shkurt 2014 dërgoi në Iran një delegacion me më shumë se 100 biznesmenë dhe sipërmarrës francezë. Delegacioni synon të shfrytëzojë mundësitë e panumërta,  që hapen në fushën e biznesit ndërmjet Francës dhe Iranit.

Info

Genc Muçaj u lind më 3 shkurt 1969 në Tiranë. I martuar me dy fëmijë, 10 dhe 15 vjeç. Në dhjetor 2012 emërohet ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së 

Shqipërisë në Republikën e Turqisë, rezident, si dhe ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë jorezident në Republikën e Azerbajxhanit, në Republikën Islamike të Iranit, Republikën e Kirgizstanit, Republikën Islamike të Pakistanit dhe në Republikën e Gjeorgjisë. Është diplomuar në vitin 1997 në universitetin e Tiranës, specializuar për studime nëhistori, gjuhë dhe letërsi angleze dhe amerikane (por e shkruan gjuhën shqipe me gabime drejtshkrimore! – “Dyrrah”-u). Në shtator të vitin 2005 fillon punën si këshilltar i Ministrit të Punëve të Jashtme deri në gusht 2007. Më vonë drejtor i kabinetit të Ministrit dhe më pas përsëri këshilltar i Ministrit deri në vitin 2009. Nga viti 2009-2012 drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Prej vitit 2006-2012 përfaqëson Shqipërinë, si Koordinator Kombëtar në Regional Corporation Council (RCC), një konsorcium me 12 shtete në Evropën Juglindore Lindore, i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja, Kanadaja dhe Japonia.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/