Ka dalë në konferencë për mediat, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bashkë me Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, Kreun e Emergjencave Civile Haki Çako dhe Drejtorin e Kompanisë Shtetërore të Prodhimit të Armëve dhe Municioneve Ushtarake, Ardi Veliu.

“Shqipëria, e angazhuar plotësisht si shtet aleat në NATO me përgjegjësitë e saj drejt sigurisë rajonale e më gjerë, si dhe e përkushtuar në modernizimin e vazhdueshëm të Forcave tona të Armatosura”, theksoi në krye të herës ministri, teksa theksoi se janë të hapur për çdo pyetje në sajë të transparencës së plotë.

“Forcat e Armatosura mbetet një nga shtyllat kryesore të sigurisë kombëtare dhe një kontributor i rëndësishëm në atë rajonale dhe ndër. Aktualisht FA-të operojnë me rreth 250 efektivë në misione, operacione dhe aktivitete jashtë vendit, në kuadër të partneritetit që ne kemi me NATO-n, Bashkimin Europian apo me OKB-në”, tha ai.

Më tej, deklaroi se në fokus janë sistemet e mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër e të mesme, sistemet dron dhe anti-dron, kapacitetet e mbrojtjes kibernetike, fuqia e zjarrit të artilerisë, mjetet taktike të blinduara, sistemet e komunikimit të informacionit si dhe nxitja e inovacionit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.