Rusi, 7 korrik 2014 – Uniforma e policeve ruse duket se do të modifikohet. Qytetarët e këtij vendi e kanë cilësuar këtë uniformë të ekzagjeruar.

Ky problem është marrë në shqyrtim edhe nga Ministria e Brendshme ruse, e cila ka pranuar kritikat e publikut, duke thënë se do të ndalohen që të përdoren nga policet femra fundet e shkurtra, ndërkohë që uniformës do t’i bëhen modifikime. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta “Moscow Times”.

"Kur takoni ndonjë njeri, gjëja e parë që ju bie në sy është veshja e tyre. Dhe për një oficere policie është e rëndësishme që të ketë një paraqitje të rregullt dhe të pastër. Kohët e fundit është vënë re se oficerët e policisë shkelin rregullat e etikës, duke mos e veshur uniformën e tyre. Por, është e rëndësishme që shefat e departamenteve të jenë më strikt dhe të kontrollojnë punonjësit e tyre dhe t’i kushtojnë më shumë rëndësi aparencës së tyre, sidomos te femrat”, kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Sergei Gerasimov.

Ministra Brendshme ruse u ka dhënë urdhër shefave të departamenteve që të kontrollojnë çdo ditë oficerët dhe oficeret e policisë, nëse uniforma e tyre është ose jo e përshtatshme për punë. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/