Ministri i Shtetit në Greqi, Stavros Papastavru u takua pasditen e sotme në paraburgimin e Durrësit me Fredi Belerin.
Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët zyrtari i lartë grek takoi kandidatin fitues të zgjedhjeve të 14 majit për kryetar bashkie në Himarë, Fredi Belerin, i cili prej muajsh tashmë ndodhet në burg.
Ministri Papastavru, në një deklaratë të shkurtër për mediat, deklaroi se bashkia e Himarës është e vetmja bashki në Evropë që nuk ka kryetar. Ai është shprehur se do të kërkojnë që gjyqësori shqiptar të bëjë drejtësi.
Kujtojmë se vizita zhvillohet një ditë para seancës gjyqësore të Belerit, për të shprehur edhe njëherë mbështetjen e Athinës zyrtare ndaj tij.
Kërkesat e Belerit të herëpasherëshme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, të cilave ai u është drejtuar sërish me të njejtën kërkesë.
Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij.
Ndërkohë, Greqia ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, dhe ka vënë veto për bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian.