10 mars 2015 – Me rastin e 7 Marsit, Kryeministri Rama pati takim me drejtuesit e shkollave, që sipas nismës kryeministrore do të merren në patronazh nga anëtarët e kabinetit të tij. Durrësi në këtë drejtim ndihet i privilegjuar, sepse dy ministra kanë marrë në patronazh dy gjimnazet më të njohura të qytetit. Ministri i Mjedisit z. Koka ka marrë në patronazh shkollën e mesme të përgjithshme “Gjergj Kastrioti” me drejtoreshë Enkelejda Alizotin. Ministri i LSI-së z. Koka ka lidhje të veçanta me gjimnazin në fjalë, sepse në të japin mësim eksponentë të shquar të LSI-së durrsake. Këtu ndër të tjera mund të përmendim mësuesen e fiskulturës, “Mjeshtren e Sportit”, ish-gjimnasten e famshme Mimoza Riston ( e njohur edhe si Nadia Komaneshku shqiptare).
Ministri i Shëndetësië z. Beqja ka marrë në patronazh gjimnazin “Naim Frashëri”, me drejtoreshë Burbuqe Metën (Hoti). Ministri Beqja gjithashtu ka lidhje të veçanta me gjimnazin në fjalë. Bashkëshortja e tij ka kryer shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera te “Gjergj Kastrioti”. Si nxënëse e “Gjergjit” ajo ka pasur mësues kujdestar profesorin e mirënjohur të kimisë z. Filip Gjonci. Vjehrra e z. Beqja, Sadete Cuci (Majushi), ka qenë drejtoreshë në këtë gjimnaz deri në momentin e rrëzimit të komunizmit. Si të thuash z. Beqja ka marrë në patronazh pikërisht gjimnazin, në të cilin ka hyrë “dhëndërr brenda”. Të martën dhe të premten e kësaj jave ministri Beqja do të ketë takime me nxënësit dhe stafin pedagogjik të gjimnazit “Naim Frashëri”.
Marrja në patronazh e dy gjimanazeve të Durrësit nga dy anëtarë të Kabinetit Rama, është me të vërtet një veprim i zgjuar në prag të fushatës për zgjedhjet e pushtetit vendor. Këta dy ministra do të kontribojnë më shumë në fushatën e ardhshme zgjedhore, sepse kanë një ‘sebep” më shumë, kanë dy gjimnaze të qytetit në patronazh.
/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





