Tiranë, 19 mars 2014 – Me anë të një letre dërguar 390 kryetarëve të komunave dhe bashkive të Shqipërisë, ministri i Mjedisit, Lefter Koka u kërkon atyre që të marrin masa të menjëhershme për menaxhimin e mbetjeve, të cilat janë përgjegjësi e tyre.
“Gjendja e rëndë e mbeturinave në territorin që ju administroni dëshmon për një neglizhencë dhe papërgjegjshmëri në të shkuarën, ndaj detyron Ministrinë e Mjedisit, që në mbrojtje të standardit të jetës së qytetarit, të marrë masa ligjore ndaj çdo drejtuesi të pushtetit vendor, pa asnjë dallim partiak”,– thuhet ndër të tjera në letër.
Ministri i Mjedisit, nëpërmjet kësaj letre informon të gjithë drejtuesit e pushtetit vendor se nëse nuk do të merren masa, në përputhje të plotë me ligjin, do të penalizojë drejtuesit e njësive vendore me gjobë nga 500.000 deri në 1.000.000 lekë.
Masat ndëshkimore, në rast të përsëritjes së kundravajtjes, parashikohen të jenë deri në propozime në qeveri për shkarkim nga detyra të kryetarëve për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Gjatë një aksioni që Ministria e Mjedisit së bashku me pushtetin vendor zhvilloi dy javë më parë për pastrimin e lumit Erzen nga mbetjet interte e mbeturinat, ministri Koka fajësoi ndër të tjera edhe pushtetarët vendorë si dhe qytetarët për ndotjen masive të territorit në zona të ndryshme të vendit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





