Në një emision televiziv, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias i është rikthyer diskutimit për çështjet e hapura me Shqipërinë por edhe me vende të tjera fqinje si Turqia apo Maqedonia.
“Politika aktuale e jashtme ka një qëllim, për të zgjidhur problemet në një mënyrë që i shërben vendit, por pa cënuar palën tjetër”, u shpreh zyrtari i qeverisë së kryeministrit Aleksis Tsipra. Më tej ai konfirmon se koha është në favor të Greqisë për të zgjidhur gjithë problemet me Shqipërinë.
Në emisionin e televizionit “ERT”, Kotzias sqaroi se është “e drejta e Greqisë për të zgjeruar hapësirën e saj detare”. “Greqia e shikon me rëndësi të madhe përcaktimin e EEZ(zonës ekonomike ekskluzive) me të gjitha vendet, veçanërisht me Shqipërinë. Ujërat territoriale, të drejtat dhe interesat tona sovrane janë me rëndësi të madhe për të gjitha palët”, theksoi shefi i diplomacisë së jashtme i Athinës zyrtare.
Në emisionin e televizionit grek, Kotzias nënvizon edhe rëndësinë e abrogimit të ligjit të luftës me Shqipërinë, i cili është ende në fuqi pavarësisht se të dy vendevet janë anëtare të NATO-s. “Çështja kryesore që duhet të zgjidhim pozitivisht është ligji për luftën. Pasojat ligjore do të rregullohen me një procedurë të veçantë”, u shpreh ministri i Jashtëm.
Gjithashtu, kryediplomati i Athinës përshëndeti vendimin e palës shqiptare për varrezat e ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. /abcnews.al/