TIRANË, 24 shkurt 2013 – Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve “Dyrrah” se më 6 mars 2013 organizohet një tender për shtypjen e një sasie kolosale certifikatash të gjendjes civile që tejkalon numrin e popullsisë.
Nisur nga fakti se shumë zyra të gjendjes civile, sidomos në Tiranë, Durrës etj. janë ankuar dhe në medie, ministri Flamur Noka ka urdhëruar shtypjen e 3.333.333 copë certifikatave për nevoja të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Në tenderin e 6 marsit 2013 do të kërkohet që 60 për qind e prodhimit, 1.999.999 copë, të dorëzohen brenda 30 ditëve nga lidhja e kontratës, kurse pjesa tjetër brenda 60 ditësh. Dikasteri i rendit nuk rrumbullakos jo vetëm shifrën e certifikatave, por edhe atë të financimit nga buxheti i shtetit: 9.999.999 lekë.
Në fakt, Ministria e Brendshme i del së keqes përpara, pasi më 23 qershor do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme dhe mund të lindë nevoja dhe për certifikata si mjet identifikimi.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





