Pavarësisht trysnisë së BE-së dhe NATO-s, grekët vazhdojnë të blejnë teknikë ushtarake ruse
· Sasia e materialeve ushtarake të Moskës për Athinën vitet e fundit arrin gjithsej në mbi 5 miliardë dollarë
· Ka gjasa të negociohet mbi mundësinë e hyrjes së anijeve ruse për pushim dhe riparime të vogla në portet helene
DURRËS, 2 dhjetor 2013 – I përzuri Shqipëria para 53 vjetësh nga Pasha Limani, anijet ruse mund t’i strehojë në portet e veta Greqia. Nga të gjitha vendet evropiane, pikërisht me Greqinë, Rusia ka bashkëpunimin më të përparuar tekniko-ushtarak. Pavarësisht trysnisë së BE-së dhe NATO-s, grekët vazhdojnë të blejnë teknikë ushtarake ruse. Sot mbërrin në Athinë ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu (në foto), ku do të nënshkruajë një marrëveshje ushtarake. Radio-kompania publike “Zëri i Rusisë” (Golos Rossii) ka bërë një intervistë me analistin ushtarak rus Viktor Litovkin.
– Përse janë kaq atraktive për Athinën prodhimet ushtarake ruse dhe çfarë mund të pritet nga vizita e Ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu në Greqi?
– Pavarësisht nga fakti se Greqia është vend anëtar i NATO-s, megjithatë ajo është tejet e pavarur në zgjedhjen e partnerëve të vet për bashkëpunim tekniko-ushtarak. Këtu, për shembull, zyrtarët e NATO-s thonë se nuk mund të krijojnë një sistem të përbashkët të mbrojtjes kundërraketë me Rusinë për shkak të ekzistencës së standardeve të ndryshme, domethënë, mospërkimit të tyre. Ndërkohë që i gjithë sistemi i mbrojtjes kundërajrore të Greqisë është i ndërtuar në bazë të komplekseve me raketa kundërajrore ruse. Dhe del se “mospërputhja e standardeve” nuk është gjë tjetër veçse përligjje banale nga ana e atyre që nuk kanë besim te Rusia.
– Përse grekët parapëlqejnë të ndërtojnë sistemin e tyre të sigurisë duke u mbështetur në teknologjinë ushtarake ruse?
– Ne shesim armët tona, ndihmojmë porositësit për të përvetësuar përdorimin e tyre, pranojmë për trajnim në shkollat tona ushtarake të ushtarakëve të vendeve blerëse, merremi me trajnimin e tyre në poligone. Meqë ra fjala, kompleksin e mbrojtjes kundërajrore të modelit “Osa AKM” Greqia e ka marrë nga ish-Republika Demokratike Gjermane (RDGJ), kur, pas bashkimit të Gjermanisë, Boni filloi t’u shesë aleatëve të vet më të afërt armët e këtij vendi (RDGJ-së, pra). Greqia iu drejtua Rusisë duke i kërkuar modernizimin e tij. Dhe mbeti kaq e kënaqur me rezultatin saqë porositi edhe 16 komplekse të tjera të tilla në Rusi. Në të njëjtën kohë i demonstruam Greqisë një sistem shumë më efektiv “Tor-M1” dhe Athina e bleu edhe atë. Pastaj Greqia bleu kompleksin tonë “Buk”.
– Çfarë mund të pritet nga vizita e Ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu në Greqi?
– Teknika ushtarake, me të cilën furnizojmë grekët, kërkon modernizim. Në territorin grek tashmë është krijuar ndërmarrja e përbashkët "Rosoboron Servis-Hellas" dhe tani shtrohet çështja e zgjerimit të veprimtarisë të kësaj kompanie. Në arsenalin e armatimeve të Greqisë, përveç komplekseve ruse të mbrojtjes kundërajrore me raketa, janë përfshirë edhe automjetet luftarake ruse të këmbësorisë, tanke, aeroplanë ushtarakë transporti, avionë amfibë, anije dhe shumë pajisje të tjera. Sasia e materialeve ushtarake nga Rusia në Greqi në vitet e fundit arrin gjithsej në mbi 5 miliardë dollarë. Por nevojiten qendra të reja të shërbimit dhe mirëmbajtjes së gjithë kësaj teknike ushtarake. Përveç kësaj, flota luftarake detare e Rusisë ka një skuadron anijesh në detin Mesdhe. Janë të gjitha gjasat që gjatë vizitës të Ministrit rus të Mbrojtjes në Greqi të negociohet mbi mundësinë e hyrjes së anijeve ruse për pushim dhe riparime të vogla në portet greke.
/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





