3 dhjetor 2013- Kryetar i Task-Force për Mbrojtjen e Territorit, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri në përmbushje të detyrave funksionale të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.931, datë 09.10.2013, “Për Krijimin e Task – Forcës, për marrjen e masave të ndërhyrjes emergjente për mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin e territorit” ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Vlorë një Kallëzim Penal lidhur me një godinë në ndërtim në zonën e Ujit të Ftohtë në qytetin e Vlorës.
Kallëzimi është bërë pas njohjes me relacionet e paraqitura nga Inspektoriati Urbanistik Kombëtar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe dokumentet bashkëngjitur këtyre relacioneve. Task-Forca ka analizuar situatën ligjore dhe faktike të objektit në ndërtimin “Godinë banimi dhe shërbime 1-4-5 kate + 1 kat papafingo + 1 kat nëntokë dyqane”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, të zbatuar nga subjekti ndërtues shoqëria “G.B-A KONSTRUKSION”, në bazë të lejes së ndërtimit të miratuar nga K.Rr.T-ja e Bashkisë Vlorë, me Vendimin e saj Nr. 5/7, datë 17.08.2010.
Nga relacionet e paraqitura janë vërejtur shkelje të rënda të legjislacionit në fushën e pronësisë, në zbatimin e lejes së ndërtimit si dhe probleme të krijuara nga ky ndërtim në perspektivën e zhvillimit turistik të zonës.





