TIRANE– Eficienca e pjesës më të madhe të spitaleve rajonale është sot në nivele minimale. Puna e mjekëve konsiston vetëm në dërgimin e pacientëve drejt Tiranës, edhe në rastet kur është e panevojshme. Kjo situatë, në një kohë kur sektori spitalor i kushton shtrenjtë shëndetësie duke gllabëruar deri 13% të totalit të shpenzimeve. Përballë të tilla kushteve, ndryshimi i skemës së financimit të tyre duke i çuar drejt autonomisë është kthyer në domosdoshmëri. Reforma do të sillte përmirësimin e performancës së këtyre spitaleve, ndërsa një pjesë e tyre mund të shkojnë drejt shkrirjes.
Drejtues të lartë të shëndetësisë, gjatë një takimi të organizuar nga USAID, diskutuan dje kuadrin rregullator të “Spitalit Autonom”. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, nuk i kurseu kritikat. “E kam theksuar disa herë që spitalet rajonale nuk duhet vetëm të referojnë raste në Tirane, por t’i shkojnë përgjegjësisë deri në fund, duhet të vazhdojë procesi i pakthyeshëm i akreditimit të institucioneve spitalore, për të krijuar një mjedis e treg të hapur e konkurrent të shëndeti”, tha Tavo. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë synon t’u delegojë funksione e detyra strukturave drejtuese të spitaleve. “Jemi në një proces të pakthyeshëm të rritjes së kapaciteteve menaxheriale të spitaleve tona. Po hartojmë një projekt të përbashkët me Fakultetin e Mjekësisë dhe Ministrinë e Arsimit për të hapur shkollën e menaxherëve të shëndetit publik”, tha ministri.
Ai theksoi se unifikimi i fondeve për financimin e spitaleve pranë ISKSH-së dhe kontraktimi i spitaleve nga ky institut, është një parakusht që krijon mundësi për funksionimin e spitaleve si entitete autonome. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, kërkoi rritjen e shkallës së autonomisë për spitalet dhe ndryshimin e formës së menaxhimit të tyre, në mënyrë që t’i përshtaten ndryshimeve të parashikuara në ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore. “Procesi i nxjerrjes së kostove spitalore dhe hartimit të paketave të shërbimeve bazuar në këto kosto për të cilat po punon ISKSH dhe spitalet, do të sjellë një financim real të shërbimeve shëndetësore dhe me hapësirat që krijon ligji i ri i sigurimeve shëndetësore, do të bëhet edhe kontraktimi i shërbimit privat.
Zhvillimi i procesit të kontraktimit si me ofrues publikë, ashtu dhe me ata privatë, të bazuar më shumë në cilësi, në kosto-efektivitet dhe në konkurrencë për shërbimet e kontraktuara e të financuara”, tha drejtoresha e ISKSH-së. Sipas saj, situata aktuale e shërbimeve spitalore, si përdoruesit më të mëdhenj të shpenzimeve shëndetësore, me 51% të shpenzimeve totale të skemës, është e domosdoshme të riorganizohet. Ajo renditi argumentet për reformën që duhet të ndërmerret. Ndër të tjera, ajo vuri theksin te ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor.