Ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, kërkon hetimin e tri procedurave tenderimi të paraardhësve të tij, pas dyshimeve se mund të jenë korruptive dhe se kanë krijuar miliarda lekë borxhe për institucionin.
Përmes një shkrese zyrtare, që mban datën 2 korrik 2017, Bardhi u është drejtuar tre institucioneve, me pretendimin se gjatë vitit elektoral Ministria e Drejtësisë ka prokuruar më shumë fonde sesa fondet e vëna në dispozicion nga Buxheti i Shtetit.
Tre prokurimet për të cilat ka ngritur pretendime ministri Bardhi i përkasin periudhës dhjetor 2016- prill 2017. I kontaktuar dje nga “Panorama”, Ylli Manjani, ish-drejtues i Ministrisë së Drejtësisë gjatë kohës së zhvillimit të dy prej procedurave në fjalë, nuk pranoi të komentojë. Ministrat parardhës të Gazmend Bardhit, në katër vitet e fundit kanë qenë, Nasip Naço, Ylli Manjani dhe Petrit Vasili.
SHKRESA
Shkresa e firmosur nga Bardhi i drejtohej Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, si dhe i dërgohej për dijeni Ministrit të Financave, kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.
Në të njëjtën shkresë, kreu Teknik i Ministrisë së Drejtësisë ka ngritur dyshime mbi operatorët që janë shpallur fitues në dy nga tre prokurimet e denoncuara.
“Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se dy nga tre procedurat e mësipërme të prokurimit janë fituar nga bashkimi i operatorëve ‘Soft S…’ shpk dhe ‘F…’ shpk. Këto dy kompani rezultojnë të jenë fituese të mbi 70 për qind të kontratave të prokurimit në Ministrinë e Drejtësisë, (pavarësisht se në të gjitha rastet kanë paraqitur ofertën më të lartë, ndërkohë që janë skualifikuar operatorë ekonomikë që kanë paraqitur oferta nën limitin e fondeve të parashikuara nga buxheti i shtetit), Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, ka prokuruar dhe lidhur kontrata në vlerë totale më shumë se vlera e parashikuar dhe miratuar nga Buxheti i Shtetit në masën 119 882 000″, thuhej në shkresë. /Panorama





