Tiranë, 9 prill 2014 – Reforma e re e pensioneve do të bazohet në parimin e progresivitetit, kush kontribuon më shumë merr më shumë, dhe kush kontribuon më pak merr më pak. Kështu u shpreh sot ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj gjatë prezantimit të nisjes së punës për hartimin dhe konsultimin e politikës së re të pensioneve. Skema e re, tha ai, do të hyjë në fuqi duke filluar nga 1 janari i vitit 2015-të. Sipas Veliajt, kjo skemë e re, e cila do të ketë një bazë të gjerë konsultimesh, duke kërkuar edhe konsensusin e opozitës, do të jetë moderne, dhe jo vetëm që do të ofrojë një zgjedhje për problemin ekonomik dhe social, por do të garantojë edhe pensione më të larta, në varësi të kontributit të secilit.
Skema e re përfshin edhe një pension social, të cilin do ta përfitojnë persona në moshën 70 vjeç,dhe që nuk kanë patur mundësi të hyjnë në skemën e kontributeve.
“Për ata që nuk kanë patur mundësi të kontribuojnë fare ne do të vendosim pensionin social. Ky pension nuk ka për qëllim dhe nuk mund të zëvendësojë pensionin nga skema kontributive, nuk është e njëjta gjë. Qëllimi i këtij është që të sigurojë që një person në moshën 70 vjeçare, i cili e gjen veten jashtë skemës, të mund të mbështetet në solidaritetin e shoqërisë sonë për të siguruar nevoja minimale. Do të jetë një pension kur dikush vërteton nevojën e mungesës së të ardhurave , etj”,– tha Veliaj.
Ai tha se diskutime për rritjen e moshës së pensionit, nuk do të përfshijnë ata që janë në prag të daljes në pension.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





