Një ditë pas shirave të dendura, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka vlerësuar këtë të mërkurë angazhimin e Forcave të Armatosura në përballimin e situatës së krijuar në disa zona të vendit.

Në një reagim publik, Vengu shprehu mirënjohje të veçantë për efektivët e Repartit të Gërhotit, të cilët deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kanë qenë në terren duke luftuar me prurjet e vrullshme të ujit në Gjirokastër.

Sipas ministrit, mbi 100 efektivë, dhjetëra mjete si dhe pompa me kapacitet të lartë janë angazhuar në qarqet Lezhë, Durrës dhe Gjirokastër, si edhe në çdo zonë ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja.

“Mirëmëngjes dhe mirënjohje për djemtë e Repartit të Gërhotit, të cilët deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kanë luftuar me prurjet e vrullshme të reshjeve në Gjirokastër.  Mbi 100 efektivë, dhjetëra mjete dhe pompa me kapacitet të lartë janë angazhuar në Lezhë, Durrës, Gjirokastër dhe kudo ku ka qenë e nevojshme, ndërsa përgatitemi për një tjetër ditë në vijë të parë, për të garantuar sigurinë e banorëve dhe përballimin e çdo situate.”, shkruan Vengu.

Autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të paralajmërimeve të Institutit të Gjeoshkencave për vijimin e reshjeve edhe në orët dhe ditët në vijim.

Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe strukturat vendore, do të vijojnë të jenë në terren për të monitoruar situatën, për të ndërhyrë në zonat problematike dhe për të garantuar sigurinë e banorëve, ndërsa qytetarët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes të shtuar.