Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu ka zhvilluar një vizitë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u takua me figura të larta të administratës amerikane dhe përfaqësues të NATO-s.
Gjatë vizitës, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e mbrojtjes, avancimin e modernizimit të kapaciteteve të Forcave të Armatosura Shqiptare, dhe angazhimin e Shqipërisë në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global.
Gjatë këtij takimi Ministri i Mbrojtjes vuri në dukje faktin që Qeveria shqiptare po dedikon buxhetin më të konsiderueshëm të dy dekadave të fundit për Mbrojtjen dhe sigurinë, duke theksuar njëherësh rëndësinë për bashkërendimin e veprimeve me aleatin strategjik për modernizimin, zhvillimin e kapaciteteve, misionet, mbrojtjen kibernetike dhe dinamikat e sigurisë ne rajonin e Ballkanit.
“Me personelin ushtarak shqiptar në Komandën e #NATO-s për Transformimin (ACT) dhe Komandën e Bashkuar të Aleancës në Norfolk që është një vlerë e shtuar dhe e vlerësuar në avancimin e objektivave strategjikë dhe operacionalë të Aleancës.
Këtë e theksova gjatë bashkëbisedimit me ta, duke nënvizuar njëkohësisht kujdesin dhe mbështetjen e vazhdueshme nga Ministria e Mbrojtjes, në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe përmbushjen e misionit të tyre në këto dy komanda të NATO-s përtej Atlantikut.
112-vjetori i Pavarësisë dhe 80-vjetori i Çlirimit të vendit, një moment kujtese dhe reflektimi mbi përkatësinë tonë europiane, u nderuan nga lidershipi ushtarak i Komandave Aleate dhe komuniteti shqiptar në Norfolk, gjatë një pritjeje të organizuar nga përfaqësia jonë ushtarake. Një mbrëmje krenarie kombëtare që çmoi përpjekjet dhe sakrificat e burrave dhe grave në formësimin e shtetit shqiptar, si dhe luftën kundër nazifashizmit.
Sot, më shumë se kurrë, jemi krenarë që Shqipëria qëndron në një familje mes miqsh dhe vlerash transatlantike”, njofton Vengu.