Në një takim me Policinë e Shtetit, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka dhënë një mesazh për punonjësit e policisë të korruptuar apo të përfshirë në aktivitete kriminale.

Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit në lidhje me trafikun e drogës të bandës së Habilajve, Xhafaj u bëri thirrje policëve të korruptuar që të largohen vet nga Policia e Shtetit, si dhe i mëshoi sërish vetingut në polici.

"Dëmi që i shkaktojnë policisë punonjës policie të paaftë apo të korruptuar është shumë i lartë. Ndaj unë i kam mëshuar vetingut në polici. Ky proces synon të pastrojë sa më shumë policinë nga njerëzit e korruptuar dhe të largojë të paaftët nga kjo organizatë. Procesi i vetingut synon të promovojë dhe nxjerrë në dritë të gjithë ata të ndershëm që shërbejnë sot në strukturat e Policisë së Shtetit. Ne do të punojmë fort që të rikthejmë besimin te Policia e Shtetit, besim i cili është lëkunduar përmes ngjarjeve të muajve të fundit. Ambicia ime është një Shqipëri pa kanabis, një Shqipëri ku krimi ndihet i kërcënuar, ta ndalojmë përfshirjen e të rinjve në rrugën e krimit."