Viti i ri shkollor nuk do të nisë në datën 13 shtator, por në datën 27 shtator.

Në një konferencë për media, ministrja Kushi deklaroi se nisja e vitit shkollor është shtyrë, për shkak se është vendosur që të zgjatet periudha e mësimit plotësues.

“Duke vlerësuar dhe shqyrtuar me kujdes shqetësimet dhe sugjerimet e ardhura nga mësuesit dhe prindërit, vendosëm të zgjasim periudhën e mësimit plotësues deri në nisjen e vitit të ri shkollor, jo më 13 shtator, por më 27 shtator 2021. Gjatë periudhës së mësimit plotësues, që nis që më 1 shtator, nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore. Faleminderit dhe suksese të gjithëve!”, tha ministrja.

Gjithashtu janë shtyrë edhe datat e përfundimit të shkollave.

Për arsimin bazë nga klasa 1-9 mbyllja e vitit shkollor shtyhet nga data 8 në 17 qershor 2022.

Për arsimin e mesëm, klasat 10 dhe 11, shtyhet nga data 15 në 24 qershor 2022.

Për maturantët, mbyllja e vitit shkollor shtyhet nga data 1 në 8 qershor 2022.