Shkollat do të rihapen më datë 14 shtator. Me anë të një njoftimi zyrtar, Ministria e Arsimit, ka bërë me dije, se në këtë datë, të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, do të kthehen në klasa më 14 shtator. 

Referuar lajmit, të publikuar pasditen e sotme, se më datë 31 gusht, shumë nxënës do të duhet të jenë në shkolla, MASR sqaron kategoritë. Ata nxënës të klasave 1-5 (cikli fillor), të cilët nuk kanë pasur akses dhe mundësi gjatë periudhës së mësimit online, gjatë periudhës së karantinës, mars–maj 2020, do të duhet të paraqiten në shkolla nga data 31 gusht e deri më 11 shtator, pasi do të marrin mësime plotësuese. 

Të tjerët, më datë 14 shtator, siç dhe është parashikuar. 

Njoftimi nga MASR:

MASR – SQARIM

Nisur nga disa lajme ditën e sotme, MASR nënvizon se viti i ri shkollor NUK FILLON më datë 31 gusht, por më 14 shtator, ashtu siç edhe është parashikuar.

Bëjmë me dije se në datën 31 gusht deri në 11 shtator do të zhvillohen mësime plotësuese VETËM me ata nxënës të klasave 1-5 (cikli fillor), të cilët nuk kanë pasur akses dhe mundësi gjatë periudhës së mësimit online, mars–maj 2020.

Ky program plotësues i pajis këta nxënës me njohuritë dhe aftësitë gjuhësore dhe matematikore që i përkasin programit mësimor, të zhvilluar në periudhën mars-maj 2020.

Zyrat Arsimore kanë identifikuar shkollat dhe nxënësit të cilët mund të jenë pjesë e këtij programi dhe që janë kryesisht nxënës të cilët u përkasin shtresave vulnerabël, romë, egjiptianë apo të zonave të thella gjeografike. Zbatimi i programit plotësues do të menaxhohet nga drejtoritë dhe zyrat arsimore vendore, si dhe shkollat sipas rasteve të identifikuara.

Ndërkohë, orët mësimore gjatë kësaj periudhe do të zhvillohen sipas të gjitha protokolleve të kushteve higjieno-sanitare, duke ruajtur distancimin fizik dhe mbrojtur shëndetin e gjithsecilit.