Ministria e Brendshme reagoi pas raportit të publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), duke theksuar se raporti i referohet periudhës 2009–2012.
Sipas Ministrisë, raporti parashtron shifrat krahasimore të kultivimit të narkotikëve në mbarë globin dhe nuk përshkuan masat e marra nga qeveritë.
“Në vitin 2016, është hera e parë që Raporti i UNODC-së ka shtuar elementin e të ardhurave të përfituara nga rrjetet kriminale nga droga, krahasuar me GDP-në e çdo vendi.
Burimi i matjes së përfitimit të paligjshëm në krahasim me GDP-në është studimi i vitit 2015 i UNODC, “Drug Money: the illicit proceeds of opiates trafficked on the Balkan route 2015”, i cili bazohet në të dhënat e periudhës 2009 deri në 2012-n.
Përfitimi nga ky aktivitet i jashtëligjshëm në Shqipëri për vitet 2009-2012 është sa 2,6% e GDP-së e asaj periudhe.
Referuar Raportit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara, në Shqipëri në periudhën 2009 – 2012, trafikantët përfitonin deri në 392 milionë dollarë çdo vit, nga trafiku i drogës”, sqaron Ministria.





