TIRANË, 22 shtator 2013- Një strukturë e re organizative qeverisëse do të marrë jetë duke nisur nga muaji tetor. Ministria e Brendshme do të jetë institucioni, i cili parashikohet të forcohet së tepërmi, duke vendosur në kontroll pothuajse gjithë organet shtrënguese (policitë) e të gjitha institucioneve të tjera.
Kështu, sipas burimeve nga grupi i punës pranë ministrit të ri të Brendshëm Sajmir Tahiri, që po merret me organizimin e ministrisë së re, disa drejtori të rëndësishme të institucioneve të tjera, do të jenë pjesë e kësaj ministrie.

“Kemi menduar dhe tashmë duket se projekti do të hyjë në fazën e tij finale, se Inspektoriati i Ndërtimit, Policia Pyjore, Antikontrabanda e Doganës, do të jenë struktura në varësi të ministrit të Brendshëm. Nuk do të jenë më drejtori të përgjithshme që mund të kenë varësi nga ministritë përkatëse të linjës. Sepse nuk mund të ndodhë që një ministri të japë licensat e shfrytëzimit dhe kontrolli të bëhet nga po këto ministri. Do të thotë se të gjitha ato drejtori që janë deri tani si drejtori të përgjithshme e struktura më vete, do të varen nga ministri i Brendshëm”, thanë burime të grupit organizativ.
Sipas të njëjtave burime, organizimi i të gjitha këtyre policive do të bëhet në drejtori të posaçme brenda ministrisë së Brendshme. Drejtorët do të propozohen nga ministri i Brendshëm, me miratim të posaçëm nga Kryeministri. Strukturat e kontrollit, qoftë të Antikontrabandës, për mallrat që kontrollohen në doganë; qoftë për ndërtimet pa leje, si struktura që ekzistojnë edhe nëpër bashki të veçanta, por edhe në Inspektoriatin e Përgjithshëm Urbanistik e Ndërtimor, apo edhe Policia Pyjore, do të shkrihen në tri drejtori më vete.
“Jemi duke parë mënyrën sesi do të organizohet gjithë kjo skemë dhe marrja e gjitha drejtorive në varësi të ministrit të Brendshëm. Padyshim, kjo kërkon edhe ndërhyrjet përkatëse ligjore. Që do të thotë se do të ndryshohej ligji për strukturën dhe funksionin e këtyre policive dhe varësive të tyre nga ministri i Brendshëm”, thonë burimet.
Ditë më parë, ministri i Brendshëm i emëruar nga Rama, Sajmir Tahiri, pati një takim të gjatë me ambasadorin amerikan Arvizu, por edhe me një staf të zgjeruar të ambasadës amerikane. Fryt i parë i këtij bashkëpunimi është ardhja e një këshilltari amerikan pranë stafit të ministrit të ri. “Do të qëndrojë si këshilltar për një kohë të pacaktuar”, thonë burimet e grupit të punës.
 
Policia e Shtetit
Shumë komente ka mbi atë se çfarë do të ndodhë me drejtorin e ri të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ndoshta kjo do të jetë edhe drejtoria më e madhe që do të ketë në varësi ministri i Brendshëm. Informacionet e para, që vijnë nga stafi i afërt i ministrit të ri, kanë të bëjnë pikërisht me faktin se asnjë nga ata drejtues që kanë qenë deri tani në postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nuk do të kenë këtë detyrë.

“Do të jenë emra të rinj, që do të provohen për herë të parë. Ka shumë kapacitete, ka shumë të rinj, që janë shkolluar në shkollat brenda vendit, por edhe ato perëndimore. Që mund të jenë të aftë të kryejnë detyrën e drejtorit të përgjithshëm të policisë, kuptohet duke plotësuar të gjitha kriteret që kërkon ligji. Por kjo do të jetë në një fazë të dytë”, thonë burime nga grupi i punës.
E ndërkaq, detyra do të bëhet më e vështirë, kur tashmë është parashikuar fakti se afro 10 mijë efektivët e Policisë së Shtetit do t’i nënshtrohen një testimi tërësisht të ri, për të parë nëse pozicionet që kanë marrë deri tani, i kanë pasur në bazë të meritave apo njohjeve në strukturat e Policisë së Shtetit.

REFORMA
Sipas burimeve nga grupi i punës pranë ministrit të ri të Brendshëm Sajmir Tahiri, që po merret me organizimin e ministrisë së re, disa drejtori të rëndësishme të institucioneve të tjera, do të jenë pjesë e kësaj ministrie
 
Drejtuesit
Asnjë nga ata drejtues që kanë qenë deri tani në postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nuk do të kenë këtë detyrë. “Ka shumë kapacitete, ka shumë të rinj, që janë shkolluar në shkollat brenda vendit, por edhe ato perëndimore, që mund të jenë të aftë të kryejnë detyrën e drejtorit të përgjithshëm”

http://www.shqiptarja.com/Politike/2732/ministria-e-brendshme-tahiri-b-n-reform–totale-178292.html