TIRANË, 18 mars 2013- Ministria e Drejtësisë do të verifikojë vendimin e dhënë në 2008 ndaj Ardian Prrenjasit, ku akuzohej për rrëmbimin e një fëmije. 

Burime nga Ministria e Drejtësisë thanë se pritet që inspektorët të sekuestrojnë dosjen ndaj Prrenjasit. 

"Ministria e Drejtësisë nis inspektimin në Gjykatën dhe Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Tiranë për çështje penale në ngarkim të shtetasit Adrian Prenjasi. 
Pas ngjarjes tronditëse të ndodhur dje në Tiranë ku një mitur u dhunua dhe e mbajt peng nga shtetasi Adrian Prenjasi dhe një tjetër (sipas dëshmisë së autorit dhënë organeve të policisë) është vrarë prej tij dhe pasi u njoh me faktin se ky shtetas është dënuar me gjobë nga gjykata, për veprën penale të të “heqjes së paligjshme të lirisë” ndaj një tjetër të mituri Ministri i Drejtësisë ka kërkuar menjëherë inspektimin në Prokurorinë dhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për rastin në fjalë”, ben te ditur MInistria e Drejtesise.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, inspektimi do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme Çështjeve të Drejtësisë me objekt kontrollin e veprimeve procedurale në procedimin penal nr.1623, viti 2008 në ngarkim të të pandehurit Ardian Prenjasi, i akuzuar për veprën penale të “heqjes së paligjshme të 
lirisë” parashikuar nga neni 110/1 i K.Penal, me hetime paraprake të përfunduara me vendim dërgimi për gjykim. Përfunduar së gjykuari me vendimin penal nr.1555 datë 14.11.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. 
Të gjitha rezultatet e inspektimit do ti bëhen te ditura opinionit publik brenda një kohe të shkurtër", thekson Ministria e Drejtesise ne nje deklarate per shtyp . 

Ne vitin 2008, ishte gjyqtarja Shefkie Demiri dha vendimin per Prrenjasin.

VENDIMI NË VITIN 2008

Në vitin 2008, i dyshuari për vrasje e pedofili është akuzuar dhe gjykuar në Tiranë për heqjen e paligjshme të lirisë ndaj një fëmije, por ia ka dalë t’i shpëtojë burgut duke u dënuar vetëm me një gjobë prej 60 mijë lekë të rinj. 

Në vendimin e gjykatës, te të dhënat për të akuzuarin shkruhet se Ardian Prrenjasi është i biri i Muhametit dhe i Sanijes, person i datëlindjes 07.11.1968, lindur në Prrenjas dhe banues në Laprakë Tiranë, me arsim 8-vjeçar, me gjendje gjyqësore i padënuar më parë, me gjendje civile beqar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i hetuar pa masë sigurimi. 
Në vendim shpjegohet ngjarja që ka ndodhur me fëmijën, i cili është mashtruar nga Ardian Prrenjasi dhe është mbajtur peng duke i kërkuar dorëzimin e një shume parash nga babai i tij. 

RRËMBIMI I FËMIJËS

“Në përfundim të gjykimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka sjellë për gjykim procedimin penal nr.1623 të vitit 2008 ndaj të pandehurit Ardian Prrenjasi, i akuzuar për veprën penale ‘heqje e paligjshme e lirisë’, gjykata bën me dije se ka bërë shqyrtimin gjyqësor me procedurë të gjykimit të shkurtuar. Sipas Gjykatës, ka rezultuar e provuar se: Më datë 30.04.2008, rreth orës 04:00, i pandehuri Ardian Prrenjasi pasi ka mbaruar punë, ka pirë alkool me dy shokë të tij gjer në orën 05:00 dhe më pas ai ka marrë rrugën për në banesë. 

I pandehuri rreth orës 11:00, pasi ka konsumuar shumë alkool, ka ndaluar para derës së një banese private e shtetases Zeqine S, ku aty ka parë dy djem të mitur duke luajtur dhe pa i njohur fare i është drejtuar njërit prej tyre dhe konkretisht kallëzuesit Mario A, të cilit i ka kërkuar ta ndihmojë duke ia marrë çelësat e shtëpisë në xhepin e tij, me arsyetimin se i kishte duart pis. Kallëzuesi Mario A. ia ka nxjerrë çelësat të pandehurit pa menduar për keq, ku ky i fundit i ka kërkuar të miturit që t’i hapte derën e shtëpisë duke e ftuar atë që të hynte brenda. 

Kallëzuesi ka hapur derën dhe, pasi janë futur brenda, ai i është drejtuar Mario A, duke i thënë se “ …tashmë ishte i marrë peng…. se babai i tij duhej të paguante para dhe, në rast të kundërt, ai nuk do ta linte djalin të dilte nga banesa e tij”. Situata e krijuar ka qenë e tensionuar për të miturin, i cili i lutej të pandehurit që ta linte të lirë, ndërkohë jashtë banesës bërtiste kushëriri i Mario A, pasi ai e pa që Mario po vonohej. 

Në ato momente, i mituri shfrytëzoi rastin dhe u largua nga banesa, ku së bashku me kushëririn e tij Edvin A. shkuan te familjarët e tyre, u treguan për ngjarjen e ndodhur e më pas shkuan në Komisariatin e Policisë Nr.3, ku bënë dhe kallëzimin përkatës”, shkruhet në vendimin e gjykatës në lidhje me ngjarjen. 

GJYKIMI I SHKURTUAR

Sipas vendimit të Gjykatës, Prokuroria e Tiranës, e përfaqësuar nga prokurori Blerim Tominaj, ka kërkuar dënimin me gjobë në vlerën e 100 mijë lekëve të rinj ndaj Ardian Prrenjasit. Me vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës, rreth orës 14:30 të datës 14 nëntor 2008, “monstra” është dënuar me 60.000 lekë të rinj gjobë. 

Pas këtij vendimi të dhënë nga Gjykata e Tiranës, nuk rezulton që Prokuroria të ketë bërë ankim në Gjykatën e Apelit për të kërkuar rritjen e masës së dënimit të dhënë ndaj Ardian Prrenjasit, i cili në atë kohë ka qenë 40 vjeç. 

Në komentin e saj në lidhje me caktimin e masës së dënimit, gjyqtarja Shefkie Demiri shprehet se në “në rastin konkret, gjykata ka parasysh rrezikshmërinë shoqërore te veprës penale e cila cenon një marrëdhënie juridike të rëndësishme. Gjithashtu gjykata vlerëson personalitetin e të pandehurit si person i padënuar më parë për asnjë lloj vepre penale, si dhe aktin se i pandehuri i ka pranuar akuzat që në veprimet hetimore dhe është thellësisht i penduar”.