Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për anulimin e kontratës së koncesionit të Aeroportit të Vlorës.  Pas këtij lajmi ka reaguar edhe Behgjet Pacolli, i cili në emër të kompanisë MABCO Constructions SA, pretendon se investitori nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet shqiptare dhe se është informuar për këtë zhvillim përmes mediave.

Pacolli deklaron se, nëse procedura konfirmohet, çështja do të kalojë në arbitrazh ndërkombëtar. Sipas tij, kompania ka bërë përpjekje për të shmangur këtë skenar përmes dialogut dhe zgjidhjeve institucionale.

Ai akuzon institicionet, duke thene se “sillen sikurse nuk mbajnë asnjë përgjegjësi personale, sepse e dinë se nuk do të paguajnë asgjë nga xhepi i tyre”, ndërsa thekson se “faturën do ta paguajnë qytetarët shqiptarë, bizneset dhe vetë shteti”.

“ARBITRAZHI  nuk është një kërcënim, është realiteti i  krijuar si pasojë juridike e veprimeve të kundërligjshme dhe mosveprimeve  të atyre që kishin detyrimin të punojnë NDERSHËN, të mbronin ligjin, të mbronin  investimin dhe interesin publik”, shkruan Behgjet Pacolli.

Pacolli pretendon se janë kryer veprime të kundërligjshme dhe se pengesat për përfundimin e projektit nuk mund të përdoren më pas si arsye për zgjidhjen e kontratës.

“Paradoksi është i qartë: nga njëra anë institucionet penguan përfundimin e projektit, ndërsa nga ana tjetër përpiqen ta përdorin pikërisht këtë pengesë si arsye për zgjidhjen e kontratës. Kjo bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë, me Kontratën e Koncesionit, me Marrëveshjen Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë, si dhe me parimin themelor të së drejtës se askush nuk mund të përfitojë nga sjellja e vet e paligjshme”, shkruan sipërmarrësi.

Ai pretendon se kompania e tij, MABCO është ekspozuar financiarisht me mbi 320 milionë euro dhe se projekti kishte përmbushur pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore përpara se punimet të pengoheshin.

Kujtojmë që shkak për situatën e krijuar janë bërë mosmarrëveshjet mes dy kompanive koncesionare, “MACBO”, e drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli, dhe “2A Group”, e drejtuar nga Valon Ademni.