Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar zyrtarisht pas deklaratave të kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajić, dhe raportimeve mediatike që aludonin për përfshirjen e Shqipërisë në veprimtari hibride destabilizuese. Hoxha hodhi poshtë me forcë çdo pretendim, duke nëvizuar se ndaj Tiranës zyrtare nuk ka asnjë akuzë të formuluar dhe se Shqipëria mbetet një faktor kyç stabiliteti në rajon.

Kreu i diplomacisë shqiptare sqaroi se raportimet e mediave merren me rezervën e nevojshme dhe se interpretimet apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund të prodhojnë artificialisht tensione mes dy shteteve.

“Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër,” deklaroi Hoxha. Ai shtoi se Shqipëria bën pikërisht të kundërtën, duke investuar çdo ditë në bashkëpunim, mirëkuptim dhe zhvillim rajonal.

Ministri Hoxha bëri me dije se Tirana dhe Podgorica janë në kontakt të vazhdueshëm në të gjitha nivelet diplomatike. Ai konfirmoi se ka zhvilluar komunikime të drejtpërdrejta me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, si dhe me zëvendëskryeministrin Nik Gjeloshaj.

Në përmbyllje, kreu i MEPJ-së i bëri thirrje edhe faktorëve politikë brenda Shqipërisë që të marrin informacionin e nevojshëm zyrtar dhe të mos e kthejnë politikën e jashtme në instrument të debateve të brendshme partiake, duke kujtuar se politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi.