Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka konfirmuar se nuk ka shtetas të Shqipërisë mes viktimave nga sulmi në Mynih.

“Autoritetet gjermane i kanë konfirmuar oficerit tonë të ndërlidhjes në Ministrinë e Brendshme se nuk ka qytetarë shqiptare në mesin e viktimave të ngjarjes së djeshme në Mynih”, deklaron Ministria e Jashtme.

Nga 9 personat që humbën jetën në këtë sulm me armë zjarri në Mynih, tre prej tyre janë nga Kosova, një djalë dhe dy vajza në moshë fare të re. Ata janë Dijamant Zabergja, 21 vjeç, Sabina Sulaj dhe Armela Segashi.

Sipas policisë gjermane, autori është një 18-vjeçar iranian, i cili jetonte në Mynih, ndërsa motivet e ngjarjes ende janë të paqarta. Trupi i pajetë i autorit është gjetur rreth 1 kilometër larg vendit të ngjarjes. Mediat raportojnë se ai ishte vetëvrarë me një plumb në kokë.

Një operacion i gjërë i policisë nisi menjëherë pas njoftimeve se sulmi në qendrën tregtare “Olympia-Einkaufszentrum” ishte kryer nga tre persona, por më vonë policia gjermane tha se autori kishte vepruar i vetëm.

Të shtënat nisën në restorantin “McDonald” që ndodhet në qendrën tregtare. Një tjetër zëdhënës i policisë së Mynihut e ka përshkruar ngjarjen si “një sulm të mundshëm terrorist”, teksa fliste për një radio gjermane.