TIRANE, 11 shkurt 2013 – Ministria jonë e jashtme në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të saj njofton të gjithë shtetasit shqiptarë lidhur me rrezikshmërinë që mund të paraqesin vende të caktuara, nëse përzgjidhen për të udhëtuar.

“Shpesh herë harrojmë se udhëtimet mund kthehen në ankth dhe disa herë rrezikojnë edhe jetët tona. Kërcënimi global i sulmeve terroriste dhe rrëmbimet vazhdojnë. Këto kërcënime mund të ndodhin në ndërtesa qeveritare dhe administrative, qendra tregëtare, avionë, trena, anije, hotele, vende fetare etj. E parë nga ky këndvështrim, Ministria e Punëve te Jashtme do të dëshironte që qytetarët e Republikës së Shqipërisë, në udhëtimet që ata të zhvillojnë të jenë të sigurt”,- thotë Ministria e Jashtme në njoftimin e saj.  

Në listën e vendeve të pakëshillueshme bëjnë pjesë: Jemeni; Republika e Kongos; Afganistani; Libia; Nigeria; Mali; Somalia dhe Algjeria. Për secilin vend MJ njofton në linqe të veçanta rreziqet të cilat mund të bëhen kërcënim për vizitorët.

“Kjo faqe, ju ofron informacionin e nevojshëm dhe ju sugjeron se, në cilat vende nuk mund të udhëtoni në mënyrë të sigurt, për shkak të situatës së brendshme. Niveli i kërcënimit terrorist është i ndryshëm nga vendi në vend. Ka vende dhe rajone, ku organizatat terroriste janë aktive dhe terroristët kanë mbështetjen e popullatës lokale, ose për shkak të mungesës së masave të sigurisë efektive, aktet terroriste ose rrëmbimet, mund të kryhet relativisht lehtë. Zyra e Ministrisë së Jashtme ju këshillon që ta merrni këtë informacion ose me telefon, ose e-mail:  

Ministria e Punëve të Jashtme

Bulevardi Zhan’Dark

Tel: 003552/2233293/

Tel: 003552/2362090       ext. 79159

e-mail: [email protected]  

MPJ fuqimisht rekomandon që qyetarët duhet të informohen me kujdes më përpara, për kushtet e destinacionit. Informacioni i MPJ-së, përmban: këshilla udhëtimi, informacion mjekësor, etj. Informacionet janë rishikuar dhe përditësuar rregullisht dhe është informacion i besueshëm. MPJ këshillon qytetarët e vet qe të marrin në konsideratë informacionet, paralajmërimet rekomandimet, që gjenden në faqen tonë.  

Por, sjellim në vëmëndje se vendimi përfundimtar mbi fillimin e një udhëtimi është përgjegjësi e vet udhëtarit”,- përfundon njoftimin e saj Ministria e Jashtme.

Një informacion më të zgjeruar lidhur me rrezikshmërinë që paraqesin vendet e përmendura më sipër nga Ministria jonë e Jashtme mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm:

http://www.mfa.gov.al/index.php?option=com_multicategories&view=category&id=160%3Avendet-ku-nuk-sugjerohet-udhetimi&Itemid=69&lang=sq