Gazetari i njohur Thanas Mustaqi, me anë të një postimi në Facebook, ka reaguar për atë që ai e konsideron si shpërfillje të Durrësit nga Ministria e Kulturës. Mustaqi e cilëson të pafalshme gafën e ministrisë që në një kolazh të “Siteve të Trashëgimisë Kulturore” nuk ka përfshirë asnjë nga vendndodhjet e kësaj trashëgimie në qytetin 3000-vjeçar.
“Titullarja e ministrisë duhet ta ndreqë këtë gafë, por edhe duke ndëshkuar vartësit dhe dikasteri të kërkojë ndjesë publike.”- shkruan ndër të tjera Mustaqi.
Postimi i gazetarit Thanas Mustaqi:
Në një kolazh apo “polifoto” me titull “Sitet [më shqip: vendndodhjet] e Trashëgimisë Kulturore” [shih poshtë] Ministria e Kulturës shpërfill Durrësin, duke mospasqyruar asgjë. Kjo është e pafalshme. Unë nuk mund të spekuloj pse ka ndodhur kjo: nga padituria, mediokriteti, pakujdesia, paaftësia apo nga keqdashja dhe zilia. Titullarja e ministrisë duhet ta ndreqë këtë gafë, por edhe duke ndëshkuar vartësit dhe dikasteri të kërkojë ndjesë publike.
Durrësi ka vendndodhje arkeologjike sa gjithe qytetet e tjera:
Amfiteatri Antik, Muret Rrethuese, Forumi Bizantin / Sheshtregu, Bazilika e Arapajt, Kalaja e Skenderbeut në Rodon, Muzeu Kombëtar Arkeologjik, Muzeu Etnografik dhe Aleksandër Moisut, Termet / Banjat romake, Hamami Mesjetar, Pusi i Top Hanes, Cisterna Mesjetare, muret e Porto Romanos, Torra Veneciane etj. etj.