Ministria e Kulturës ka shtyrë për në një datë tjetër ceremoninë e zhvarrimit të eshtrave të piktorit Ibrahim Kodra. Në një njoftim për mediat, Ministria e Kulturës sqaron se ekzekutorët testamentarë kërkojnë të vlerësojnë momentin më të pjekur për të proceduar me amanetin e Mjeshtrit për t’u prehur në Tiranë, ose në Durrës.

“Ministria e Kulturës njofton se në vijim të kërkesës së fondacionit “Ibrahim Kodra”, ceremonia në nderim të Mjeshtrit, Ibrahim Kodra, “Nder i Kombit” i cili do të prehet në Memorialin në Kodrat e Liqenit, shtyhet për një datë tjetër të mëvonshme.

Ekzekutorët testamentarë kërkojnë të vlerësojnë momentin më të pjekur për të proceduar me amanetin e mbramë të Mjeshtrit për t’u prehur në Tiranë, ose në Durrës.

Megjithë bisedimet disa ditore të zëvendësministrit të Ministrisë së Kulturës, të përfaqësuesve të ekzekutorëve testamentarë si dhe angazhimit të deputetëve të zonës, si pasojë e keqkuptimeve, keqinformimeve dhe keqpërdorimeve për rastin në fjalë, një grup banorësh krijuan një rezistencë të paarsyeshme dhe të padrejtë për procedurat ligjore të përmbushjes së amanetit të fundit të Maestros.

Ibrahim Kodra është shqiptari i madh, që përjetësoi me Artin e tij buzëqeshjen e njerëzimit. Ai është figura që na bashkon të gjithëve dhe i tillë do mbetet dhe pas vdekjes.”