Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat e përditësuara mbi situatën e zjarreve në vend.

Sipas njoftimit, deri në orën 20:00 të 26 gushtit janë raportuar në rang vendi 24 vatra zjarri, nga të cilat 4 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 5 të tjera janë nën mbikëqyrje.

Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar edhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.

Vatrat aktive janë:

  • Qafë e Helmës, Bulqizë – vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në terren janë angazhuar 23 forca operacionale nga MZSH Bulqizë dhe strukturat bashkiake. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
  • Mali i Dardhës, Librazhd – zjarri vijon të djegë në brendësi, kryesisht në humus dhe trungje të dekompozuara. Nuk rrezikohen banesa.
  • Mali i Qukësit, Prrenjas – vijon puna për shuarjen e trungjeve të rrëzuara dhe bimësisë së ulët brenda vatrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
  • Drashovicë, Selenicë – vijon puna për shuarjen e zjarrit në sipërfaqe pyjore me shkurre, me 1 mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë të MZSH Selenicë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, situata paraqitet e përmirësuar në vatrat e tjera. Në Malin e Dajtit, reshjet e shiut izoluan vatrat dhe zona do të mbahet nën mbikëqyrje; gjatë ditës u angazhuan 38 forca operacionale bashkiake dhe 50 efektivë të FA-së.

Në Sarandë, zjarri në kurorën e qytetit është vënë nën kontroll pas një angazhimi të gjerë të MZSH-ve, Policisë, FNSH-së, forcave bashkiake dhe 1 helikopteri të FA-së, ndërsa zona vijon të mbahet nën mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.