12 gusht 2013- Në lidhje me situatën e krijuar pas dëbimit të disa familjeve rome nga trualli i ish ndërmarrjes artistike, tek kryqëzimi pranë "Pallatit me Shigjeta", ka reaguar Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.Me anë të një deklarate për mediat, ministria bën me dije se gjithë këtë periudhë ka qenë në bashkëpunim me shoqatat përfaqësuese të romëve.“Kjo sipërfaqe, me vendim të Këshillit të Ministrave është transferuar tek Shërbimi Social Shtetëror, ku me një buxhet të Ministrisë është nënshkruar kontrata për rikonstruksionin e shtatë godinave që ndodhen në këtë qendër. Ministria e Punës ka një bashkëpunim të ngushtë me aktivistë të Amnesty International, me Komisioneren Antidiskriminim, me shoqatat përfaqësuese të romëve dhe institucionet e tjera ndërkombëtare për të zgjidhur këtë problem kompleks, siç është strehimi i romëve dhe i shtresave të tjera vulnerable”, thuhet në deklaratë.

 “Qendra e Sharrës është me një sipërfaqe 40 mijë metra katrorë dhe nga koordinimi i të gjitha institucioneve, mund të ofrojë zgjidhje për menaxhimin e situatës së krijuar nga konflikti”, thekson ministria.