Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon për situatën epidemiologjike në vend. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 330 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19 nga të cilat janë konfirmuar 50 raste pozitive, kryesisht raste të reja si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive.
Lajmi i mirë është se 24 orët e fundit janë shëruar 28 qytetarë, duke e çuar në 1114 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 17 raste në Tiranë, 6 në Krujë, 5 në Lezhë, nga 4 raste në Shkodër, Durrës, Fier, 3 në Korçë, 2 raste në Vlorë dhe Elbasan dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Mirditë dhe Sarandë.
Një pacient 69-vjeçar nga Kruja me leukozë akute, ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, i prekur nga Covid19. Pavarësisht mjekimit intensiv prej 10 ditësh dhe përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk arriti të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit.
Në 24 orët e fundit ka rritje të të shtruarve në spitalin infektiv. Aktualisht po marrin shërbim 64 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar.
Në vendin tonë janë aktualisht 682 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve: Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, mbani maskat kudo ku ambienti është i mbyllur, bizneset dhe institucionet të respektojnë protokollet e përcaktuara.
Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.
Ministria e Shëndetësisë po bashkëpunon ngushtësisht me Policinë e Shtetit për të mos lejuar asnjë person pozitiv që të thyejë rregullin duke dalë nga karantina, deri në shërimin e plotë.
Qytetarët duhet të shmangin grumbullimet masive pasi janë burim infeksioni, të evitojnë ceremonitë mortore dhe vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.
Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim.
Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid19.
COVID-19 – Statistika (19 Qershor 2020)
- Testime totale 22806
- Raste pozitive 1838
- Raste të shëruara 1114
- Raste Aktive 682
- Humbje jete 42 (Qarku Tiranë 23, Durrës 8, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve, jo qyteteve:
- Tiranë 317
- Durrës 140
- Shkodër 112
- Vlorë 45
- Fier 28
- Lezhë 12
- Elbasan 11
- Korçë 10
- Kukës 5
- Gjirokastër 1
- Berat 1





