Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi tha se numri i palestinezëve të vrarë gjatë luftës me Izraelin ka kaluar shifrën prej 10.000.
Shifrat e publikuara më 6 nëntor paraqesin luftimet më vdekjeprurëse që nga themelimi i Izraelit 75 vjet më parë.
Lufta shpërtheu më 7 tetor kur militantët e Hamasit sulmuan në jug të Izraelit duke vrarë mbi 1.400 persona dhe duke rrëmbyer afër 240 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite. Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë të sulmeve ajrore, pasuar nga një sulm tokësor.
Ministria e Shëndetësisë tha se 10.022 persona janë vrarë në Gazë, pa bërë dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve.
Shumica e viktimave besohet se janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite, edhe pse Izraeli ka thënë se mbi 500 raketa të lëshuara nga militantët palestinezë kanë rënë brenda Gazës.
Të hënën, forcat izraelite kanë sulmuar veriun e Gazës nga ajri, duke e ndarë nga pjesa tjetër e territorit, teksa forcat tokësore janë futur më thellë brenda qytetit të Gazës.
Palestinezët ndërkaq kanë varrosur dhjetëra persona të vrarë një ditë më parë në sulmet izraelite në jug, pjesën ku autoritetet izraelite kanë urdhëruar banorët e Gazës që të evakuohen, edhe pse Izraeli po sulmon caqe në gjithë enklavën./ REL