TIRANE, 28 nentor 2013-Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë garanton të gjithë personat që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar që përfitojnë pagesat e paaftësisë, se në muajin janar do t'i marrin të gjitha pagesat e prapambetura". Ky ka qenë reagimi i kësaj ministrie, pas pretendimeve të Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Tetraplegjikëve të Shqipërisë mbi mundësinë e djegies së fondeve për dy muaj. Përmes një reagimi për "Gazeta Shqiptare", MMSR siguron se me miratimin e buxhetit të ri për vitin 2014 do të bëhet shlyerja e plotë e personave që janë përfitues nga programet sociale. Gjithashtu, kjo ministri bën me dije se është në diskutim me Ministrinë e Financave për të mundësuar pagesën në vazhdim për programin e mbrojtjes sociale.
Problematika
Problemi me pagesat e paaftësisë duket se është paralajmëruar që në muajin korrik, nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Përmes një shkrese zyrtare, që mban datën 8 korrik 2013, ky dikaster i kërkonte Ministrisë së Financave fonde shtesë për pagesat e paaftësisë dhe ndihmën eko-nomike, ndërsa shprehej qartë se nëse ky fond nuk do të akordohej, atëherë duke filluar nga muaji shtator, pagesat nuk do të mund të kryheshin. Në dokumentin, i cili është siguruar nga "GSH", saktësohet se për vitin 2013, Ministrisë së Punës i janë akorduar 4.1 miliardë lekë më pak, ose vetëm 80.9% e fondeve të kërkuara në fillim të vitit. Kështu, Ministria e Financave i ka akorduar MPÇSSHB vlerën prej 17.4 miliardë lekësh, ndërsa kjo e fundit kishte kërkuar 21.5 miliardë lekë. Duke marrë parasysh këtë fakt, në muajin korrik kjo ministri ka kërkuar edhe 6.6 miliardë lekë për përmbushjen e detyrimeve të vitit 2013 për pagesën e personave me aftësi të kufizuar, si dhe 1.3 miliardë për ndihmën eko-nomike. Në total, Ministrisë së Punës i nevojitej një fond shtesë prej 7.9 miliardë lekësh. Por, pavarësisht alarmit të dhënë nga ky dikaster, Ministria e Financave nuk e ka "mirëpritur" kërkesën për akordimin e fondeve shtesë. Në datën 18 korrik 2013, kjo e fundit ka kthyer përgjigje negative në lidhje me kërkesën.
"Do të sugjeronim që duke prioritizuar nevojat për fonde, të gjeni zgjidhje brenda fondeve të miratuara në buxhetin e vitit 2013, duke parë edhe mundësinë e rialokimit të fondeve ndërmjet programeve apo artikujve", saktësohej në shkresën zyrtare të Ministrisë së Financave, e cila gjithashtu është siguruar nga "GSH".
Kjo ka qenë edhe zanafilla e problemit, ku prej disa muajsh personat me aftësi të kufizuar nuk kanë arritur të marrin pagesën e përmuajshme të paaftësisë.





