Në vendin tonë janë duke qarkulluar një sërë virozash të stinës me simptoma të gripit. Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik deklarojnë se ende nuk qarkullon virusi i gripit.
“Natyrisht janë viroza stinore, pasi ne nuk kemi izoluar asnjë rast me virusin e gripit. Simptomat e virozave me ato të gripit janë të ngjashme, si këputje, dhimbje kockore dhe temperaturë”, thotë Silva Bino, ISHP.
Këtë vit është siguruar në kohë vaksina antigrip që ofrohet falas për grupet e riskut dhe personelin shëndetësor. Ajo është shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore. Dhe në kundërpërgjigje të hezitimeve të ndeshura më parë ndaj vaksinëns, ekspertët e ISHP e kanë injektuar vetë të parët, bashkë me përfaqësuesen e OBSH-së në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë nisur fushatën e vaksinimit ndaj virusit të gripit nga Sanatoriumi, institucioni i cili përballoi një situatë të pazakontë një vit më parë, ku 16 persëona humbën jetën për shkak të komplikacioneve që u shkaktoi virusi i gripit. Ndaj vaksinimi ka nisur si fillim me personelin mjekësor.
“Punonjësit e shëndetësisë janë ata që përballen më shumë me gripin, pjesa e popullsisë më e riskuar. Për këtë arsye ministria e Shëndetësisë ka siguruar vaksinimin falas të gjithë punonjësve të shëndetësisë në të gjithë territorin e Shqipërisë”, tha Mira Racakolli, zv.ministre e Shëndetësisë.
Mjekët thonë se vaksina antigrip është mbrojtësi më i mirë për të parandaluar virusin për të mos shfaqur format e tij më të rënda. Ajo ofrohet falas për gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë e të tjerë./Top Channel