5tetor 2015 – “Tregime të Moçme Shqiptare” është një libri i një mësueseje me eksperiencë 20-vjeçare e cila kishte zgjedhur ta integronte në programin mësimor të nxënësve të saj në Durrës me një mungesë totale profesionalizmi. Në tekst përmbahen fjalë të rënda fyese dhe jashtë etikës, siç ishte dhe “këlysh bushtre” apo "i menderosur".

Rasti u bë fillimisht publik në mediat sociale të cilat publikuan faqen e librit me përmbajtjen banale, ndërsa më vonë Ministria e Arsimit sqaroi zyrtarisht se nuk bëhej fjalë për asnjë tekst apo titull të katalogut të teksteve shkollore dhe fletores së punës shoqëruese të miratuara nga ky institucion.

Ministria e Arsimit përmes një njoftimi për shtyp tha se bëhet fjalë për një rast të izoluar të mësueses së një shkolle në Durrës e cila ua kishte sugjeruar këtë libër jashtëshkollor nxënësve të saj. Ministria nuk bën të ditur emrin e mësueses apo të shkollës ku ajo ushtron profesionin, shkruan shqiptarja.com

“Për Ministrinë e Arsimit, angazhimi në përmirësimin e cilësisë së dijes dhe të formimit të personalitet të fëmijëve shqiptar është një detyrim dhe parakusht për zhvillimin e vendit dhe të ardhmen e brezave të rinj. Në këtë kuadër, ftojmë të gjithë opinionin publik dhe prindërit të denoncojnë çdo rast të tillë papërgjegjshmërie dhe joprofesionalizmi”, thuhet në njoftim.

Të shumta kanë qenë denoncimet për përmbajtjen e teksteve shkollore me të cilët mësojnë fëmijët në Shqipëri. Vetë prindërit të cilët bëhen “mësuesit në shtëpi” të fëmijëve të tyre, kanë denoncuar gafa pafund në tekstet shkollore.

/portali DurresLajm/