Durrës, 15 prill 2014 – Ministri Imami me bëmat dhe gjëmat e tij ia kaloi të gjithë ministrave të Shqipërisë që nga Mehmet Pashë Dërralla në 1912 deri te ministrja e sotme Kodheli. Përjashtim bëjnë këtu 26 varret e Mediut dhe dorëheqja e Gjeneral Aranitasit në 5 prill 1939, dy ditë para se të sulmohej Shqipëria dmth një ministër lufte, që dorëhiqej në prag të luftës. Ministri Imami është i patejkalueshëm si ministër vetëm në fantazinë e tij të tejskajshme të nxitur nga etja për fitime. Unë jam vetë nga Mokra me origjinë dhe kam dëgjuar shumë legjenda për qypa floriri të fshehura në tokë, si psh thesarin e kaçakut Shahin Matraku, të Hasan Beut të Velcanit (te livadhet e Lufollarëve), të Pal Aranitasit (menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut), apo thesari i Ali Pashës groposur nga selihdarët e Pashait pas disfatës në betejën e Torviollit në vitin 1444 etj.etj.

Në fillimet e pluralizmit u bënë gërmime nga gjithfarë injorantësh në mure shtëpish, kishash e kalash të vjetra në majft vende të Mokrës, por flori nuk u gjet në asnjë rast.

Pas gati një çerek shekulli nga ethet e floririt të viteve ‘91-93 ca mashtrues profesionistë i mbushën mendjen Imam ministrit se kishin harta të përafërta të vendit, ku ishte varrosur një thesar prej qindra kilogramësh flori. Imami njëlloj si ai katundari, që u mashtrua dhe bleu çelësin e Kullës së Sahatit në Tiranë për 10 000 lekë të vjetra, duke menduar se u bë pronar i sahatit të Tiranës.

Ky i bekuar thesar nuk mund të gjendej pa aparatura vëzhgimi për zbulim metalesh ultra moderne, që kushtonin një djall e gjysëm. Ministri Imami kishte kursyer aq lekë nga paga e tij si deputet dhe ministër sa për të blerë të tilla aparatura, por duke qenë ca kurrnac,  vendosi ta blinte aparaturën  detektuese me paratë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Për t’i nxjerrë këto para duhej gjetur një sebep, se përndryshe ishte e pamundur, që thesari i kontrolluar nga ministri Bode, t’i lëvronte paratë. Duhej shfrytëzuar një klauzolë e ligjit për sekretin ushtarak për t’i blerë këto pajisje metalkërkuese pa kaluar nga thesari i kontrolluar nga Bode. Kujtojmë këtu që Bodja i kishte prishur punë edhe vetë Shkëlzenit, kur ai kërkonte me patjetër VKM-në për të ndërtuar “kovacanën” vrastare të Gërdecit.

E vranë mendjen kolonelë e gjenralë, kullurë e vetë shokë Zylo dmth Kol. Zylo dhe shpikën një rrenë, që do t’ua kishte zili edhe vetë Baroni i famshëm Mynhauzen. Maqedonia po përgatitej për agresion kundër Republikës së Shqipërisë, do bënte minime në kufi e ç’nuk do të bënte, për këtë qëllim duheshin pajisje speciale vëzhgimi. Normal të tilla pajisje duheshin blerë në mënyrë sekrete se na e merrnin vesh maqedonasit dhe pastaj na pushtonin Shqipërinë etj.etj. Në kohën, kur shpikeshin të tilla broçkulla, ministër i mbrojtjes i FYROM-it ishte një shqiptar. Në këtë kohë nacionalistët e djathtë maqedonas qurraviteshin te diplomatët amerikanë në Shkup se irredentistët shqiptarë në FYROM, po të  marrin urdhër nga Tirana apo Prishtina e shpërbëjnë Maqedoninë brenda 72 orësh. Gjithsesi rrena Imami ishte e mjaftueshme të dilnin paratë nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes dhe të blihej aparatura e famshme me atë marifetin e procedurës së ftesës për kuotim. Gojët e liga në ish dikasterin Imami thonë, që firma prokuruese e aparaturës vëzhguese ka pronar dikë, që vëllain e ka pasur si biçim komandanti te berretat e kuqe (BOS-i) në Farkë dhe më pas oficer të lartë te SHIU.

I mbetet prokurorisë shqiptare të hedhë dritë mbi hollësitë e etheve të arit, që e zunë ministër Imamin, më keq se amerikanët në Alaskë në kohën e Xhek Londonit.

Fatkeqësisht diplomatët amerikanë në Tiranë, njerëz përgjithësisht , që besojnë lehtë dhe nuk mund ta imagjinojnë, që një vend i NATO-s ta ketë ministrin e mbrojtjes kaq tahmaqar dhe njëkohësisht kaq budalla sa ky ministri ynë, e morën këtë mesele seriozisht dhe vunë alarmin për një konflikt të mundshëm midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Një konflikt i tillë do u sillte kokëçarje pa hesap amerikanëve në Ballkan. Pikërisht prandaj dhe u mobilizuan burime njerëzore dhe elektronike sipas parimit hedh një budalla një gur në pus ( Imami) dhe 100 të mençur (amerikanë) nuk e nxjerrin dot. Në fund fare amerikanët e shkretë nuk u besonin syve të tyre, sesi ky ministër i mbrojtjes mund të ishte më budalla se vetë budallëku dhe më tahmaqar se Krasi, patrici romak simbol klasik i tahmasë për flori.

Dolcis in fundis!

Dikasteri Llalla bën mirë të bëjë transparencë për padinë e Ministres Kodheli për këtë punën e sekretit të floririt të Mokrës, sepse tani që u bë publike nuk ka më kuptim të mbahet sekreti hetimor. Z. Llalla me këtë rast mund të bëjë publike edhe padinë për atë të bekuar kampionat të mundjes, ku ushtarët shqiptarë u përdorën si roje bostani nga një firmë private e afërt me ministrin famëmadh Imami.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/