Nga 22 ministri, pesë prej tyre në faqet zyrtare të internetit nuk respektojnë ligjin për përdorimin e gjuhëve. Qeveria dhe 17 ministritë e mbetura edhe pse ofrojnë mundësinë që faqet të mund t’i kalojmë edhe në gjuhën shqipe dhe atë angleze, ,materialet në këto dy gjuhë nuk janë të përditësuara. Në lidhje me rastin ka pasur edhe një reagim nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, e cila pohon se çdo ministri është vet përgjegjëse për përditësimin e faqes.
Momentalisht çdo ministri është vet përgjegjëse. Një pjesë e faqeve nuk janë të unifikuara dhe nuk posedojnë standardet e nevojshme për përditësim”- shprehen nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë.
Në faqen e Qeverisë dhe të të gjitha ministrive, kur të njëjtat i kthejmë në gjuhën shqipe, kategoritë figurojnë shqip, por materialet brenda në nënkategori janë në gjuhën maqedonase.
Nga 22 ministri, dy faqe zyrtare me të njëjtin dizajn nuk i gjen dot. Disa prej tyre janë ndërtuar 10 vjet më parë dhe nuk plotësojnë standardet për t’u quajtur të tilla, pasi më shumë luajnë rol informues dhe jo urë lidhëse për transparencë me qytetarët. Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë shprehet se së shpejti do të zgjidhë të dyja problemet, zbatimin e plotë dhe të drejtë të gjuhës shqipe dhe unifikimin e faqeve në strukturë dhe pamje.
Momentalisht Ministria e Informatikës dhe Qeveria po shqyrton mundësitë për financim dhe procesin e krijimit të faqeve të reja të ministrive, në mënyrë që të bëhet unifikimi i strukturës dhe pamjes.
Mësohet ndër të tjera se së shpejti për këtë qëllim do të formohet edhe një grup punë. Faqet e reja do të përmbajnë edhe standardet për personat me aftësi të kufizuara. Të gjitha faqet do të funksionojnë në gjuhën shqipe dhe atë maqedonase. Sipas ligjit për përdorimin e gjuhëve, Institucionet kanë një afat prej 6 muajsh.