Zv.kryeministrja, Belinda Balluku e shoqëruar nga kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako kanë inauguruar ditën e sotme shkollën e mesme “Olsi Lasko” në Shkozet, pas përfundimit të rindërtimit të godinës.

Kryebashkiakja Sako shprehet se shkolla është rikonstruktuar plotësisht duke ofruar kushte dinjitoze e bashkëkohore për 775 nxënës.

Gjimnazi “Olsi Lasko” ishte pjesë e programit “BE për Shkollat”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, i cili mori përsipër riparimin/rindërtimin e 18 objekteve arsimore në Durrës sipas standardeve evropiane, duke ofruar kushte më të mira arsimore për mijëra nxënës, fëmijë dhe mësues.

Një shkollë me infrastrukturë më moderne, me kushte bashkëkohore, me kabinete dhe laboratorë (Kimie, Fizike, IT), ku nxënësit do të zhvillojnë orët mësimore për t’u orientuar drejt zgjedhjeve për të ardhmen.

Godina e re e pozicionuar në zonën e Shkozetit, është ideuar me kushte bashkëkohore, duke përfshirë klasa me hapësira më të mëdha me sistem ngrohje/ftohje, bibliotekë etj. Gjithashtu ka edhe një palestër moderne për të zhvilluar orët e edukimit fizik. “Olsi Lasko” ofron edhe 3 gjuhë të huaja, për një të ardhme të sigurt.