“Në Durrës dhe Korçë operojnë subjekte që ushtrojnë aktivitetet e tyre në 200 m2 sipërfaqe, dhe rezultojnë të paregjistruar në QKB dhe në organet tatimore.”
Deklarata bëhet nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në një kohë kur në shkallë vendi ka nisur një aksion i gjerë kundër informalitetit.
Ditën e mërkurë, ishin në Durrës për të ndjekur nga afër aksionin e tatimorëve dhe Inspektoriatit të Punës drejtues të lartë të këtyre institucioneve.
“Të dhënat e kësaj jave nga Inspektoriati i Punës tregojnë se nga 196 subjekte me 2,096 punëmarrës gjithsej, 281 individë rezultuan të paregjistruar në organet përkatëse. Sot, 276 prej tyre u formalizuan. Gjithashtu janë marrë masa për pezullim aktiviteti për 84 subjekte, ndërsa për 14 subjekte të tjera janë marrë masa paralajmëruese”,– shkruan Denaj në statusin e saj.
Postimi i plotë i ministres Denaj:
Në Durrës dhe Korçë operojnë subjekte që ushtrojnë aktivitetet e tyre në 200 m2 sipërfaqe, dhe rezultojnë të paregjistruar në QKB dhe në organet tatimore. Në momentin e vizitës nga ana e strukturave të monitorimit u konstatuan punonjës të padeklaruar që ofronin shërbim për klientët. Administrata Tatimore dhe Inspektoriati i Punës janë në terren çdo ditë me strukturat e tyre përkatëse të monitorimit. Të dhënat e kësaj jave nga Inspektoriati i Punës tregojnë se nga 196 subjekte me 2,096 punëmarrës gjithsej, 281 individë rezultuan të paregjistruar në organet përkatëse. Sot, 276 prej tyre u formalizuan. Gjithashtu janë marrë masa për pezullim aktiviteti për 84 subjekte, ndërsa për 14 subjekte të tjera janë marrë masa paralajmëruese. Tolerimi i këtyre bizneseve është në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme! #STOPINFORMALITETIT!





