Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi informoi sot në Kuvend se së shpejti do të miratohet kredia studentore, ku për herë të parë studentët do të kenë të drejtë të marrin kredi.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, Kushi përmblodhi disa fakte të mbështetjes së qeverisë ndaj studentëve. Ajo u shpreh se karta e studentit siguron një sërë mbështetjesh nga bashkia e Tiranës për studentët.
Kushi: Rritja e pagës minimale, kompensimi i energjisë elektrike, rritja e pagës për mësuesit, infermierët, mjekët, ushtarakët, rritja e ndihmës ekonomike, mbështetja për fermerët etj, janë mbështetje që u jepet familjeve shqiptare, përfshirë edhe familjet e studentëve.
Bashkia e Tiranës në fillim të këtij viti akademik ka vendosur përgjysmimin e tarifave për të gjithë studentët që akomodohen në konvikte. Ka ofruar abone falas për të gjithë studentët. Ne kemi draftuar edhe një vendim për kredinë studentore. Për herë të parë studentët do të kenë të drejtë të marrin një kredi. Ne jemi drejt përfundimit, draftin e kemi gati dhe besoj se për një periudhë 2-mujore të gjithë studentët do të kenë të drejtë të marrin kredi.