Gjatë një takimi me mësuesit kontributorë të xhirimit të lëndëve mësimore që nga nisja e pandemisë, ministrja e Arsimit, Evis Kushi është shprehur se ata do të mbahen mend si “mësuesit e sakrificës së pandemisë”.

“Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi, gjatë një takimi me mësuesit kontributorë të xhirimit të lëndëve mësimore që nga nisja e pandemisë, ka vlerësuar kontributin e tyre të veçantë të dhënë për nxënësit në të gjithë vendin.

“Me bindje e them se kontributorët e “RTSH Shkollë” do të mbahen mend gjithmonë si “mësuesit e sakrificës së pandemisë”, që jo kushdo mund ta kishte bërë, ndërsa puna e tyre do të shkruhet gjithmonë me germa të arta”- është shprehur ministrja.

 “Mirënjohje pa kufi për përkushtimin e pashoq dhe faleminderit me zemër për sakrificat tuaja!”- shkruan ajo në një status në rrjetin social.

 Më tej ajo shton se që në fillim të pandemisë, e ka admiruar punën, sakrificën dhe përkushtimin e mësuesve të “RTSH Shkollë”. Në një kohë që të gjithë rrinin brenda, mësuesit u angazhuan maksimalisht në xhirimin e orëve mësimore për nxënësit që të mos ndalonte në asnjë moment procesi mësimor.

 Edhe sot, puna e këtyre mësuesve vazhdon pa ndërprerje për kanalin e dedikuar për arsimin parauniversitar, i cili do të vazhdojë edhe pas periudhës së pandemisë, përfshirë edhe programe të ndryshme argëtuese e kreative, për tu ardhur në ndihmë të gjithë nxënësve.”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.