Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka raportuar para ambasadorëve perëndimor në Tiranë, masat e ndërmarra për parandalimin dhe goditjen e korrupsionit, si një nga kriteret e procesit të integrimit evropian.
Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, Gjonaj ka folur për masat e marra nga Qeveria Shqiptare, përmes implementimit efektiv të reformave të thella shtetformuese, si Reforma në Drejtësi, Reforma në Administratën publike dhe të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit.
"Shqipëria tashmë ka zhvilluar një politikë të qartë antikorrupsion mbështetur në Strategjinë Ndërsektoriale Antikorrupsion 2015-2020. Qeveria shqiptare ka forcuar transparencën dhe llogaridhënien duke riorganizuar strukturën anti-korrupsion si organ mbikëqyrës për të siguruar koordinimin, monitorimin dhe zbatimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit dhe Planit të saj të Veprimit."
Ajo është ndalur në veçanti në ngritjen e dy strukturave shumë të rëndësishme për zbatimin e strategjisë antikorrupsion, që janë Komiteti Koordinator ministror, në të cilin çdo ministri përfaqësohet në nivel zv.ministri dhe Task Forca ndërinstitucionale, e cila është përgjegjëse për inspektime ndërinstitucionale dhe është tashmë operative.
"Aktualisht janë kryer disa inspektime me fokus kontrollin administrativ dhe ligjor të veprimtarisë së institucioneve që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve, si dhe zbatimin e procedurave të prokurimit publik".
Sipas ministres, një vëmendje e veçantë i është kushtuar përfshirjes në këtë aksion të gjerë antikorrupsion, të sa më shumë aktorëve, përfshirë shoqërinë civile, përfaqësuesit e biznesit dhe komunitetin ndërkombëtar.





